Maqedoni
Gjendja e jashtëzakonshme, Spasovski: Do ta kalojmë më së miri
19.03.2020 16:25
Edhe përkundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në nivel vendi...

Edhe përkundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në nivel vendi, jeta e qytetarëve do të vijojë të rrjedhë normalisht. Kështu theksoi kryeministri, Oliver Spasovski, sipas të cilit gjendja e jashtëzakonshme nuk do të thotë kurrfarë ngecje në transportin e nevojave ushqimore të qytetarëve, as në pjesën e nevojave të ilaçeve në spitale dhe barnatore. Spasovski thotë se Qeveria me gjithë kapacitetin që posedon shteti po i kundërvihet situatës me epideminë e virusit Korona.
“Ju bind se gjendjen e jashtëzakonshme do ta kalojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, në mënyrë profesionale, duke i shfrytëzuar të gjitha resurset shtetërore dhe duke i respektuar të gjitha dispozitat ligjore që me sukses të parandalohet virusi Korona. Për atë duhet të sillemi në mënyrë të përgjegjshme, duke i respektuar masat dhe rekomandimet. Në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme do të tregojmë se në mënyrë të disiplinuar dhe serioze secili nga ne jemi të përkushtuar për plotësimin e obligimeve për punë të përgjithshme dhe të mirën e fëmijëve tanë.”,- tha kryeministri, Oliver Spasovski.
Deskoska: Nuk nënkupton kufizim të lirive
Ministrja e drejtësisë, Reanata Deskoska, sqaron se qeveria në këtë rast do të miratojë urdhëresa me fuqi ligjore dhe se për momentin nuk ka nevojë për kufizime në të drejtat dhe liritë e njeriut, por kërkoi që qytetarët të respektojnë masat dhe rekomandimet e qeverisë.
“Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk nënkupton kufizim të lirive dhe jetës së qytetarëve, por dua të theksoj se ekziston mundësi kushtetuese që kufizon të drejtat dhe lirinë e qytetarëve në gjendje të jashtëzakonshme. Megjithatë, qytetarët duhet të dinë se përkufizimi i lirive dhe të drejtave në asnjë rast nuk mund të jetë diskriminuese në bazë të gjinisë, racës, ngjyrës së lëkurës, gjuhës, besimit, kombësisë ose asaj sociale, pozitës pronësore apo shoqërore.”,- tha ministre e drejtësisë, Renata Deskoska.
Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme nga ana e presidenti të shtetit, Qeverisë i delegohen të gjitha kompetencat vendimmarrëse që i mundëson neni 126 i Kushtetutës.
ZEKIRJA MEXHITI
