Maqedoni
Çulev: Policia po kontrollon 2500 personat e izoluar. 29 padi për mosrespektim të masave të Qeverisë
19.03.2020 17:17
Policia aktualisht kryen kontrolle të mbi 2200 qytetarëve të cilët janë kthyer nga jashtë dhe ndodhen në vetizolim...

Policia aktualisht kryen kontrolle të mbi 2200 qytetarëve të cilët janë kthyer nga jashtë dhe ndodhen në vetizolim, por edhe të mbi 360 qytetarëve të cilët kanë qenë në kontakt me të sëmurë dhe po ashtu janë në izolim, bëri të ditur ministri i brendshëm, Naqe Çulev.
“Në dy ditët e kaluara, 64 persona u tërhoqën me 24 automjete nga fshatrat Tresonce, Lazaropole, Osoj dhe Manastirc. Këto fshatra janë në perimetrin e zonës së krizës, por personat ishin të izoluar dhe të kontrolluar nga një epidemiolog, i cili dha leje që këta të mjekohen. Aktualisht, një grua shtatzënë është duke u trajtuar në zonën e krizës e cila është në pritje të ekzaminimit të një epidemiologu.”,- tha ministri teknik i punëve të brendshme, Naqe Çulev.
Çulev njëherit njoftoi se janë ngritur 24 padi ndaj 29 personave të cilët nuk i kanë respektuar masat qeveritare. Nga MPB e kanë njoftuar Prokurorinë edhe për mjeken, Nina Caca Biljanovska.
Po ashtu, Prokuroria Publike kërkoi dënimin e një familjeje nga Manastiri që u kthye nga Italia më 14 mars dhe nuk i ka respektuar rregullat në kohë epidemie.
Pesë anëtarët e familjes kanë thyer rregullat për izolim 14 ditor. Ata jo vetëm që kanë dalë nga shtëpia e tyre, por edhe kanë sulmuar fizikisht fqinjët të cilët u kanë kërkuar të respektojnë masat.
“Më 17 dhe 18 mars janë ngritur kallëzime penale kundër 12 personave për sëmundje ngjitëse në Strumicë dhe 10 për mosrespektim të rregullave shëndetësore në kohën e epidemisë.”,- theksoi ministri teknik i punëve të brendshme, Naqe Çulev.
Masat për vetizolim nuk i kanë respektuar persona nga Ohri, Manastiri, Prilepi, Strumica, Kumanova dhe qytete tjera të vendit, tha Çulev.
Sipas ministrit, të mërkurën në Maqedoni kanë hyrë 2824 persona, prej të cilëve 2017 shtetas të Maqedonisë së Veriut dhe 807 shtetas të huaj.
Ndërsa kanë dalë nga vendi 2278 persona, prej të cilëve 951 shtetas të Maqedonisë së Veriut.
BESIM ABDULLAI
