Maqedoni
6 raste të reja me Covid-19, arrin në 48 numri i të infektuarve në RMV
19.03.2020 17:35
Ministria e Shëndetësisë përmes një kumtese ka informuar se deri në orë 16:00 janë diagnostikuar 6 raste të reja me virusin Korona...

Në mesin e tyre është edhe një vajzë 4 vjeçare nga Shtipi, e cila është infektuar në shtetin anglez. Familja e vajzës është kthyer nga Anglia më 14 mars dhe kanë qenë në izolim shtëpiak.
“Në testim janë paraqitur dje, dy ditë pasi vajza i ka ndjerë simptomat e para. Në Dibër janë regjistruar tre raste të reja të virusit Korona, testet janë bërë në kuadër të skriningut. Në Shkup është regjistruar një rast, kontakt i të diagnostikuarve paraprakë. Edhe në Gostivar është konfirmuar një rast i virusit Korona. Bëhet fjalë për një grua e kthyer nga Zvicra, e cila ishte në izolim shtëpiak. Në testim është paraqitur vetë, ndërsa në sondazhin e epidemiologëve ka theksuar se ka pasur kontakt me një të infektuar në Zvicër”,- thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga Ministria theksojnë se për momentin testohen edhe 35 persona, për të cilët do të japin informacion menjëherë pas marrjes së rezultateve.
GYLTENE SINANI
