Maqedoni
Shkelën masën e vetizolimit, padi penale për 2 kumanovarët. Respektoni masat!
19.03.2020 18:22
Ndaj dy komanovarëve, të cilët nuk kanë respektuar masën e izolimit shtëpiak...

Ndaj dy komanovarëve, të cilët nuk kanë respektuar masën e izolimit shtëpiak, do të ngrihet padi penale.
N. T. 39 vjeç dhe N. K 50 vjeç, që të dy nga Kumanova, u paditën penalisht për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprës penale “Mosrespektim i masave sipas rregullave ligjore në rast të epidemive”.
Edhe përkundër faktit se gjatë hyrjes në vend në vendkalimet kufitare kishin nënshkruar deklaratat për vetizolim të domosdoshëm shtëpiak prej 14 ditësh, ata gjatë një kontrolli të policisë më datën 17 mars nuk kishin qenë në adresat që i kanë paraqitur në deklaratat e tyre.
Ndërkohë, që vazhdimisht po aplikohen masa të ndryshme për parandalimin nga infektimi me virusin Korona, KOVID-19.
Kryqi i Kuq i RMV-së në Kumanovë nga dita e premte do të vejë në dispozicion numrin telefonik 076/787- 412 prej orës 10.00 deri në orën 16.00 për mbështetje psikologjike për qytetarët e Kumanovës, Likovës dhe Nagoriçit të Vjetër.
Nëpër të gjitha institucionet publike shtetërore, por edhe në të gjitha shkollat fillore e të mesme si dhe nëpër të gjitha objektet fetare, po kryhet dezinfektimi i të gjitha ambienteve me qëllim të parandalimit të zgjerimit të virusit KOVID-19.
Masa të ngjashme po ndërmerren edhe në territorin e komunës së Likovës. Siç bëhet e ditur nga autoritetet komunale, këtyre ditëve po bëhet dezinfektimi i të gjitha shkollave si dhe xhamive në tërë territorin e komunës së Likovës.
Njëkohësisht, Shtëpia e Shëndetit në Likovë, konform rekomandimeve qeveritare për mbrojtje nga virusi Korona, u apelon qytetarëve që të paraqiten vetëm për raste urgjente.
FATLUM AQIFI
