Maqedoni
6 raste të reja me Covid-19, arrin në 48 numri i të infektuarve në RMV
19.03.2020 18:39
48 persona në vend janë infektuar me e Covid-19...

Këto janë të dhënat zyrtare për të cilat informoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili tha se pas analizave që u janë bërë 10 personave, pozitivë kanë rezultuar 6 raste të reja, ndërsa janë në pritje edhe të 35 rezultate tjera.
Në mesin e 6 personave të infektuar me virusin Korona është edhe një vajzë 4-vjeçare nga Shtipi, e cila është infektuar në shtetin anglez. Familja e vajzës është kthyer nga Anglia më 14 mars dhe ka qenë në izolim shtëpiak.
“Sot deri në orën 16 ka 6 raste të reja, me çka shkon në 48 numri i të infektuarve. Në Shtip për së pari herë është regjistruar një i infektuar, një vajzë 4-vjeçare. Në Dibër janë regjistruar tre raste të reja të virusit Korona, testet janë bërë në kuadër të skriningut. Në Shkup është regjistruar një rast, kontakt i të diagnostikuarve paraprakë. Edhe në Gostivar është konfirmuar një rast me virusin Korona. Bëhet fjalë për një grua e kthyer nga Zvicra e cila ishte në izolim shtëpiak. Në testim është paraqitur vetë, ndërsa në sondazhin e epidemiologëve ka theksuar se ka pasur kontakt me një të infektuar në Zvicër.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ministri i shëndetësisë gjithashtu njoftoi se edhe Spitali “8 shtatori” do të jetë në funksion të qytetarëve që mendojnë se kanë simptoma ose janë të infektuar me Covid-19.
“Sot bëmë planin edhe për futjen në terapi të këtyre personave me virusin Korona në spitalin “8 shtatori”, me çka hapet nevoja për intervenim tjetër mjekësor për pacientë që kanë simptoma ose veç më janë të infektuar dhe për t’u ruajtur kapacitetet e tjera. 22 krevatë dhe 2 aparate për frymëmarrje dhe me këtë punë praktikisht i sigurojmë që direkt të dërgohen në “8 shtatori” që mos të shëtisin andej-këndej nëpër spitale.”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ministri i shëndetësisë, Filipçe, sërish dërgoi apel që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, të mos tubohen, të dalin nga shtëpia vetëm për raste urgjente, t’u largohen kontakteve me shumë njerëz, të mbajnë distancë, t’i lajnë duart, me një fjalë t’i respektojnë të gjitha rekomandimet që janë dhënë deri më tani.
SANIJE DURAKU
