Vdes shtetasi britanik, dyshohet të ketë qenë i prekur nga “Ebola”
Mbrëmë, në Klinikën Universitare në Shkup ndërroi jetë një shtetas britanik për të cilin dyshohet të ketë qenë i prekur nga virusi “Ebola”......

Pacienti në fjalë, tre ditë me radhë ka pasur dhimbje barku dhe temperaturë të lartë trupore.
Jovanka Kostovska nga Ministria e Shëndetësisë mbrëmë ka deklaruar se shanset e mëdha janë që nuk bëhet fjalë për “Ebola”, por rasti është trajtuar si një rast i mundshëm i “Ebola”-s.
“Ebola”, përhapet në kontakt të drejtpërdrejtë me të infektuar dhe me anë të shkëmbimit të lëngjeve.
Rreziku i mundshëm, ka shtuar ajo, është vetëm për ata persona të cilët ishin në kontakt të drejtpërdrejtë me personin e sëmurë, megjithatë ka shtuar se nuk ka vend për panik.
Në ndërkohë, përmes një komunikate me shkrim nga ana e përfaqësuesve të Entit Anglez për Shëndet Publik, thuhet se është pak e besueshme që vdekja e shtetasit të tyre në Maqedoni të jetë e shkaktuar nga “Ebola” edhe krahas simptomave të ngjashme. "
Enti për Shëndet Publik i Britanisë së Madhe është i vetëdijshëm se ekziston raport i pakonfirmuar për shtetasin britanik, i cili vdiq në Maqedoni, i cili ndoshta ka pasur simptoma të ngjashme të “Ebola”-s.
Ne konsiderojmë se është pak e besueshme që “Ebola” të jetë arsyeja për vdekjen, por do ta vazhdojmë bashkëpunimin me partnerët e hetimit”. Britaniku pesëdhjetë e tetë vjeçar vdiq dje pasdite në Klinikën për Sëmundje Infektive në Shkup. Ai ka qëndruar në një hotel të Shkupit, ndërsa pasdite, në gjendje të rëndë shëndetësore, e ka humbur jetën.
Në spital menjëherë janë ndërmarrë të gjitha procedurat e sigurisë, ndërsa personeli që ka pasur kontakt me pacientin është vendosur në karantinë. Në karantinë janë edhe të punësuarit dhe personat në hotelin ku ka qëndruar shtetasi britanik.
