Maqedoni

Strugë, asnjë i infektuar, apel për respektimin e masave

20.03.2020 16:05

Qyteti i Strugës mbetet ende i paprekur nga virusi korona....

Qyteti i Strugës mbetet ende i paprekur nga virusi korona. Asnjë rast deri tani  nuk është raportuar në spitalin e Strugës. Megjithatë masat e nevojshme janë marrë dhe qyteti është nën kontroll. Disa qytetarë të ardhur nga Italia janë në izolim shtëpiak. Edhe pse në Strugë nuk ka repart të infektivit, spitali i Strugës është në kontakte të vazhdueshme me repartin e infektologjisë në Ohër. Spitali i Strugës është  në gadishmëri për çdo rast që mund të paraqitet, ka në disponim personel të mjaftueshëm mjekësor. 
 
Priten rezultatet e 8 personave nga fshati Llabunisht i Strugës, të cilët kanë qenë në vetëizolim. Nga spitali i Strugës bëjnë apel për tek gjithë qytetarët që të respektojnë rekomandimet dhe masat, duke iu shmangur grumbullimit e shëtitjeve në ambiente publike. 
 
Ndërkohë ka vazhduar larja dhe dezinfektimi i disa pjesëve të qytetit. Shumica e qytetarëve respektojnë rregullat dhe kanë filluar vetëizolimin. Një pjesë e vogël e qytetarëve kanë refuzuar të respektojnë rekomandimet e dhëna, duke dalë nëpër qytet. 
 
ILMIJE ZHAKU