Maqedoni
70 të prekur nga Kovid-19 në vend
20.03.2020 16:13
Shkon në 70 numri i të infektuarve nga virusi korona në vend....

Të infektuarit e rinj janë nga Shkupi, Dibra, Gostivari, Shtipi dhe Ohri. Pacientët janë në gjendje stabile, përpos gruas së vendosur në aparat të frymëmarjes, gjendja e saj është përkeqësuar prej mbrëmë njofton ministri i shëndetësisë Venko Filipçe, i cili në konferencën e fundit për media tha se tani vendi ka hyrë në zonën me rrezik mesatar të përhapjes së virusit.
“Pacientja e cila është e vendosur në aparat të frymëmarjes, mbrëmë në orët e vona hyri në fazë kritike. Po bëhen gjitha përpjekjet me terapi shtesë, por me të vërtetë situata e saj është më kritike në krahasim me ditët e kaluara. Pacientët e tjerë janë në gjendje të ngjashme. Janë bërë edhe vizitat shtëpiake tek të gjithë pacientët që mjekohen në shtëpi."- tha Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.
Filipçe tha se furnizimi me aparate të frymëmarjes po realizohet.
Prej nesër hapen linja të reja telefonike në Shkup, ku qytetarët mund të kërkojnë ndihmën e mjekëve, ndërkaq nga e hëna edhe dy qendra shtesë për testime.
“Për momentin në spitalet tona kemi 120 aparate për frymëmarrje artificiale, ndërsa pritet edhe blerja e 200 të tjerave. Ndërsa Kina ka nisur edhe 200 aparate, që do të dhurohen si donacion në RMV. Këto aparate janë të mjaftueshe pasi sipas statistikave vetëm 5% e të infektuarve kanë nevojë për frymëmarrje artificiale. Do të hapen qendra shtesë për marrjen e materialit për testin si në poliklinikat në Çair dhe Jane Sandanski.”- tha Filipçe.
Nga të gjitha rastet përqindja e të shëruarve është 1.5%. Numri i personave të izoluar ka mbërritur në 4136.
“Deri më tani janë bërë 888 testime. Në institut ne disponojmë edhe me 1400 të tjera. Gjithsesi kemi një blerje tjetër prej një mijë testimeve dhe kemi edhe një donacion tjetër prej një mijë testeve."- tha Armend Arsllani, zv/ministër i shëndetësisë.
Autoritet shëndetësore parashikojnë rritje të numrit të pacientëve të infektuar. Marrë parrasysh të dhënat se shpeshherë masat nuk respektohen, dikasteri i shëndetësisë nga qeveria do të kërkojë ashpërsim të masave mbrojtëse.
MERAL ISMAILI
