Çmimin “Nobel” e fiton Malala dhe Kailash
Veprimtarja për të drejtat e shkollimit të vajzave, Malala Yousafzai, nga Pakistani dhe veprimtari për të drejtat e fëmijëve, Kailash Satyarthi, nga India, janë fituesit e çmimit “Nobel për Paqe”.......

Duke i shpallur fituesit të premten, Komiteti norvegjez i “Nobelit” tha se të dy ata janë vlerësuar për “luftën kundër shtypjes së fëmijëve dhe të rinjve dhe për të drejtën e të gjithë fëmijëve për t’u arsimuar”. Malala Yousafzai është një vajzë e cila luftoi për të drejtat e femrave për shkollim.
"Unë vërtet besoj se e vetmja rrugë për të vënë paqen në botë dhe për të ecur në drejtim të paqes dhe prosperitetit është vetëm leximi, dituria dhe arsimimi. Vendet e fuqishme nuk do të gjykohen nga numri i ushtarëve të saj dhe të marinës, por ne duhet të shohim se cili shtet ka shkallën më të lartë të shkollimit, cili vend ka më shumë njerëz të arsimuar dhe cili vend ka siguruar të drejtat themelore të qytetarëve të saj"- tha pakistanezja, Malala Yousafzai.
Kaliash Satyarthi, shpjegon veprimtarinë për të drejtat e fëmijëve në ekip. Ai shprehet se aktivistët e tij duhet ta njohin mentalitetin ku punojnë, për të fituar besimin e fëmijëve.
"Kështu, kur të kthehen nga këtu ata përpiqen për të identifikuar aktivistë të tjerë që punojnë me fëmijë. Ajo është gjithmonë e lehtë për ta, sepse kanë përjetuar të njëjtat gjëra dhe e dinë se si të gjinden nëpër situata të ndryshme. Ata e dinë se si të krijojnë kontakte dhe të fitojnë besimin e fëmijëve. Kjo nuk është vetëm një nder për mua, është një nder për të gjithë ata që luftojnë kundër skllavërisë së fëmijëve në botë dhe punojnë me fëmijët të cilët janë privuar nga fëmijëria. Vetëm unë e marr këtë çmim, por ka shumë njerëz që flijojnë kohën dhe jetën e tyre për kauzën e të drejtave të fëmijëve dhe unë do të doja të falënderoj dhe përgëzoj të gjithë ata, sepse kjo është simbolike për mua”- u shpreh veprimtari për të drejtat e fëmijëve, Kailash Satyarthi.
Vendlindja e Malalas, Mingora, në luginën Swat të Pakistanit, ishte vënë nën kontrollin e militantëve nga Afganistani para më shumë se gjashtë vjetësh dhe komuniteti u vu nën ndikimin e talebanëve nga Pakistani, të cilët ngritën gjykata, ekzekutuan banorë lokal dhe i mbyllën shkollat e vajzave, përfshirë edhe atë në të cilën mësonte Malala.
Ajo ishte qëlluar në kokë nga talebanët derisa po kthehej nga shkolla, në tetor të vitit 2012. Para se të qëllohej ajo kishte shkruar një bllok, në të cilin përshkruante jetën nën sundimin e talebanëve, duke kërkuar të drejtën e arsimimit për vajzat. Malala është fituesja më e re e çmimit “Nobel për Paqe”.
Ndërsa fituesi tjetër, Satyarthi, 60 vjeçar, është veprimtar për të drejtat e njeriut në Indi dhe njihet si ndjekës i ideologjisë së Mahatma Gandhit. Ai ka organizuar forma të ndryshme të protestave e demonstratave paqësore kundër shfrytëzimit të fëmijëve për përfitime financiare. Ai ka ndihmuar edhe hartimin e dokumenteve të rëndësishme ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
