Nesër dihet nëse britaniku ka qenë i prekur nga “ebola”

10.10.2014 16:05

Laboratori i Hamburgut do të konstatojë nëse shtetasi britanik, i cili vdiq dje në Shkup, ishte i infektuar nga “Ebola”, apo ka vdekur nga ndonjë sëmundje tjetër. Mostrat e të ndjerit sot janë nisur drejt Hamburgut, ndërsa trupi i tij është vendosur në arkivol special, me mjete speciale për dezinfektim në Klinikën Infektive në Shkup.....

Po ashtu, të gjithë 25 personat në hotelin "Super tetë" që kanë qenë në kontakt me të dhe 10 persona nga ekipi mjekësore dhe ekipi që e ka transportuar në spital, janë vendosur në karantinë, bëjnë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë.

Jovanka Kosotovska, udhëheqëse e Sektorit për Mbrojtje Preventive Shëndetësore në Ministrinë e Arsimit, sqaron se, sipas analizave epidemiologjike, është e vogël mundësia që të bëhet fjalë për “Ebola”, por derisa nuk i marrim analizat laboratorike, nuk mund të lirohemi dhe reagojmë sikur të bëhet fjalë për “Ebola”, thotë ajo.     

"Rezultatet nga analiza, e cila do të bëhet në Hamburg, na kanë njoftuar se do të arrijnë të shtunën në mbrëmje, pastaj do të ketë vendim se a ka nevojë për obduksion. Përndryshe, Klinika Infektive ku ishte hospitalizuar pacienti funksionon normalisht, duke i kryer të gjitha obligimet që ka. Vendi ku ka qëndruar pacienti funksionon me regjim të veçantë, veç më është dezinfektuar hapësira dhe janë të ndërmarra të gjitha masat për mospërhapjen e infeksionit. Në hotel, nën karantinë janë vendosur 25 persona së bashku me shokun e tij. Në Klinikën Infektive janë dhjetë persona, përfshirë edhe ekipin mjekësor që ishte me atë dhe e ka transportuar"- deklaroi udhëheqësja e Sektorit për Mbrojtje Preventive Shëndetësore në Ministrinë e Arsimit, Jovanka Kosotovska.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se në Maqedoni nuk ka raste të tjera të dyshuara se janë të prekur nga “Ebola”, por institucionet shëndetësore janë të gatshme të përballen me të gjitha situatat, tha Kostovska.

Ndryshe, britaniku që vdiq dje në Shkup është Xhefri Kolins, ish-drejtor rajonal i kompanisë “Xhonson Meti”. Ndërsa në Maqedoni tani kishte ardhur me mikun e tij 72 vjeçar, Majkëll Inglish, po ashtu për qëllime afariste.

Por, miku i të ndjerit ka përjashtuar mundësinë që ai të ketë qenë i prekur nga “Ebola”, pasi herën e fundit, në kontinentin afrikan ka qëndruar para tre vitesh, kur e ka vizituar motrën e tij në Tanzani. Madje, ai dyshon se gjendja shëndetësore e mikut të tij, tanimë të ndjerë, mund të jetë keqësuar për shkak të konsumimit të madh të alkoolit. (Gyltene Sinani, TVM2)