Dimitrov: 2300 qytetar në kufij e aeroporte jashtë vendit

21.03.2020 14:18

Ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov....

Ministri i punëve të jashtme, Nikolla Dimitrov, bëri të ditur se rreth 2300 qytetarë të vendit kanë mbetur nëpër kufij apo aeroporte jashtë vendit në të gjithë botën, si pasojë e pandemisë së virusit Korona.

Ai paralajmëroi se do të organizohen fluturime humanitare për kthimin e tyre me kusht që pas kthimit ata të qëndrojnë në karantinë të organizuar nga shteti prej 15 ditësh.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka lëshuar një thirrje publike: Apel deri te qytetarët tanë, shtetasit tanë të cilët kanë ngelur nëpër kufij, apo aeroporte që mbyllen dhe anulohen fluturime, të cilëve u duhet ndihma e shtetit që të vijnë në shtëpi, kemi bërë një analizë dhe numri varion kështu, prej rreth 2300 qytetarë të Maqedonisë në të gjithë botën janë bllokuar si pasojë e virusit Korona, kryesisht në kontinentin e Evropës. Qeveria ka sjellë vendim dhe konstatime  duke na obliguar ne si MPJ, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit, të organizojmë fluturime humanitare që ata t’i sjellim në shtëpi. Po ashtu është formuar një trup që do të organizojë karantinë obliguese shtetërore dhe do ta rrisë kapacitetin e karantinimit të obliguar shtetëror, që do të thotë se lidhur me obligimet ligjore për shëndetin publik dhe luftën kundër sëmundjeve infektive, qeveria vendosi që të gjithë qytetarët që do të vijnë në grupe më të mëdha me fluturimet humanitare do të jenë në karantinë të obliguar shtetërore në afat prej 15 ditësh, që të mbrohet interesi i popullatës.”,- deklaroi Nikolla Dimitrov nga MPJ.

Qytetarët duhet të kontaktojnë përfaqësitë diplomatike të vendit deri të dielën në orën 18, që të dihet numri i saktë për organizimin e fluturimeve humanitare, me atë që prioritet do të kenë shtetet ku ka numër më të madh qytetarësh, tha Dimitrov.

Ai paralajmëroi një konvoj humanitar nga Mali i Zi ku ndodhen rreth 70 shtetas të vendit, të cilët po ashtu pas kthimit do të jenë në karantinë shtetërore. Për të gjithë të vendosurit në karantinë shtetërore harxhimet do t’i mbulojë shteti. (Gyltene Sinani, TVM2)