“Higjiena Komunale” dezinfektoi rrugët e Shkupit

21.03.2020 16:11

Në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e virusit Korona në vend...

Në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e virusit Korona në vend, Ndërmarrja “Higjiena Komunale” ka realizuar pastrimin e rrugëve dhe bulevardeve të pesë komunave të kryeqendrës, përfshirë edhe komunën e Çairit.

Ekipet e “Higjienës Komunale” këtyre ditëve kanë qenë të koncentruar në dezinfektimin e rrugëve dhe bulevardeve në komunat Qendër, Çair, Aerodrom, Kisella Vodë dhe Gazibabë, ndërsa të dielën do të bëhet dezinfektimi në 5 komunat tjera të Shkupit.

“Po bëhet dezinfektimi edhe i sheshit “Maqedonia”, sheshit “Filipi i Dytë”, një pjesë e Çarshisë së Shkupit, “Ura e gurit” dhe rruga “Maqedonia”. Puna është dyfishuar, ekipet tona punojnë në tre ndërrime, mbeturinat komunale nga kontejnerët mblidhen në kontinuitet sipas planit vjetor.”,- thuhet nga “Higjiena Komunale”.

Nga “Higjiena Komunale” thonë se po dezinfektohen edhe kontejnerët mbitokësorë dhe nëntokësorë, dhe ambienti ku janë vendosur ata. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)