Filipçe: 85 të prekur nga virusi Korona

21.03.2020 17:03

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, konfirmoi 9 rastet e reja me virusin Korona në vend....

Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, konfirmoi 9 rastet e reja me virusin Korona në vend, me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 85 persona. Po ashtu pacientja që ndodhet në aparate për frymëmarrje artificiale vazhdon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“Gjatë natës janë konfirmuar edhe 9 raste të reja, me këtë numri i përgjithshëm deri në orën 12 në vendin tonë arrin në 85. Janë regjistruar raste në 6 qytete, edhe atë në Shkup, Dibër, Gostivar, Kavadar, Shtip dhe Ohër. Sa i përket gjendjes së pacientëve, tre prej tyre janë në gjendje më të rëndë, ndërsa pacientët tjerë janë në gjendje më të lehtë klinike. Pacientët që janë në shërim shtëpiak janë në komunikim të përditshëm me infektologët, pasi gjendja e tyre është e lehtë dhe mund të trajtohen në kushte shtëpiake. Gjendje të lehtë klinike kanë edhe pacientët që po trajtohen në Dibër.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.                                                                                

Qeveria po shqyrton mundësinë për sjelljen e masave shtesë dhe më shtrënguese për lëvizjen e qytetarëve, pasi, siç tha ministri, masat e deritanishme nuk janë respektuar sa duhet nga qytetarët.                                  

“Në mbledhjen e mëngjesit të Komisionit për Sëmundje Infektive biseduam për masa shtesë të cilat duhet të aplikohen me qëllim që qytetarët më shumë t’i respektojnë masat e sjella, pasi është evidente se edhe përkundër masave dhe apeleve, ende vërehen grupime, prandaj komisioni e ka përgatitur propozimin dhe i njëjti do të diskutohet në mbledhjen e qeverisë.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Ministri njëherit informoi se nga dita e hënë do të funksionojnë edhe dy punkte të reja për marrjen e mostrave për testim nga virusi Korona në Poliklinikën në Çair dhe “Jane Snadanski”.

Ai njëherit bëri të ditur se ka përfunduar prokurimi publik për aparatet e frymëmarrjes, por asnjë operator ekonomik nuk ka mundur të plotësojë kriterin për furnizim urgjent, prandaj do t’i propozohet Qeverisë që ta zbatojë të njëjtën. (Rejhane Bushi Metaj, TVM2)