Sociologët: Silluni me përgjegjësi dhe kujdes si informoni

21.03.2020 17:25

Silluni me përgje....gjësi dhe mbani llogari për informacionet që planoni në opinion në këtë periudhë

Silluni me përgjegjësi dhe mbani llogari për informacionet që planoni në opinion në këtë periudhë, apelon sociologia, Ardita Abduli. Mosrespektimi i masave të autoriteteve dhe papërgjegjësia jonë mund të ketë pasoja të mëdha për qytetarët, thotë ajo.

“Është më se e qartë që papërgjegjësia sjell pasoja, në kushtet aktuale të këtij virusi vdekjeprurës përmasat e përhapjes së tij mund të shtrihen në shifra marramendëse dhe jo të pengohet përhapja e tij dhe në rast të mosrespektimit të masave preventive nuk dihet se kush mund ta pësojë, e sidomos kur thuhet se ky virus godet më së shumti moshën e tretë dhe ata të cilët kanë sëmundje kronike. Familjes dhe shoqërisë i duhet secili individ pa marrë parasysh moshën, të metat apo sëmundjet që kanë, sepse secili individ e ka vlerën dhe vendin e vet, andaj respektimi i masave do të mund ta mbrojë secilin prej nesh, me qëllim që ta tejkalojmë këtë gjendje me sa më pak pasoja.”,- deklaroi sociologia, Ardita Abduli.

Përderisa infeksioni me Covid-19 përhapet me shpejtësi në të gjithë globin dhe qeveritë tentojnë të parandalojnë infeksionet, lajmet e rrejshme  për këtë virus në media dhe rrjetet sociale janë bërë problem i madh. Sociologia, Ardita Abduli, rekomandon që qytetarët t’i selektojnë lajmet dhe të përqendrohen vetëm te mediat të cilat kanë të dhëna zyrtare.

“Meqenëse tani sillen miliona lajme nëpër dritaret online, popullata është e stërngarkuar nga ndjekja e tyre dhe kjo varet tek besueshmëria e mediave. Zakonisht mediat të cilat sipas vlerësimeve janë të renditura me rejting më të lartë dhe kanë më tepër ndjekës, mendohet se u përmbahen kodeve etike që të publikojnë lajme të vërteta, ndërkaq ato të tjerat që kanë më pak ndjekës, priren që përmes lajmeve mashtruese, titujve të gabuar, pamje apo përshkrime joadekuate të tërheqin vëmendjen e ndjekësve me gjasë për ngritje të rejtingut dhe përfitimeve tjera.”,- u shpreh Abduli.

Qytetarët apo mediat që përhapin lajme të rreme mund të përballen me padi penale për përhapjen e lajmeve të rreme për Covid-19. Kjo parashihet edhe në Kodin Penal, por ditë më parë edhe Ministria e Brendshme është obliguar nga Qeveria të përcjell situatën dhe të paralajmërojë se do të ketë sanksione kundër të papërgjegjësive ose atyre që përhapin lajme të rreme dhe dezinformatave.

Ata që përhapin lajme të rreme mund të marrin gjobë në të holla, por edhe 1 deri në pesë vjet burg. (Sanije Duraku, TVM2)