Për shkak të mosrespektimit të rekomandimeve, shtabi i krizës kërkon orë policore në Kumanovë

21.03.2020 18:03

Derisa ditët e ...të shpalljes së rekomandimeve për mbrojtje nga virusi Korona

Derisa ditët e para të shpalljes së rekomandimeve për mbrojtje nga virusi Korona, kumanovarët shfaqën kulturë të lartë të respektimit të të njëjtave, ditëve të fundit me ngrohjen e motit po ndodh e kundërta, respektivisht gjithnjë e më tepër po vërehet prezenca e tyre nëpër shëtitoret dhe vendet tjera publike të qytetit dhe rrethinës.

Për këtë arsye, por edhe nga serioziteti i përhapjes së virusit KOVID-19, në mbledhjen e sotme të rregullt, Shtabi Komunal për mbrojtje dhe shpëtim ka kërkuar nga Qeveria e RMV-së të aplikojë orë policore për qytetin e Kumanovës edhe atë prej orës 20:00 të mbrëmjes e deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Shtabi Komunal nga qeveria gjithashtu ka kërkuar 100 shtretër dhe paravanë për ndarje në hapësira që do të shfrytëzoheshin për vendosje eventuale të karantinës. Pastaj NP “Ujësjellësi” në Kumanovë të bëjë sigurim plotësues të fabrikës për prodhimin e ujit, kurse SPB e Kumanovës të sigurojë prezencë 24-orëshe të zyrtarit policor në vetë objektin. Obligohen Inspektorati komunal NP “Pastrim dhe gjelbërim” dhe sektori për punë komunale t’i shënojnë dhe t’i mbyllin të gjithë terrenet sportive deri në vendimin e ardhshëm të Shtabit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Nga qytetarët kërkohet që t’i largojnë veturat e parkuara në mënyrë të parregullt nëpër rrugë dhe trotuare që të mundet pa pengesë të dezinfektohen rrugët, kurse në rast të dëmtimit të të njëjtave, dëmi bie mbi vetë pronarët e makinave.

Nga SPB e Kumanovës kërkohet që të veprojë konform vendimeve të Qeverisë së RMV-së për detektimin dhe shpërndarjen e grupeve të qytetarëve nëpër shëtitore dhe vende tjera publike.

Seancë të jashtëzakonshme mbajti edhe Këshilli Komunal i Kumanovës me një pikë të vetme të rendit të ditës “Ndarja e mjeteve buxhetore për sigurimin e pajisjes dhe mjeteve për dezinfektim” në lartësi prej  4 milion denarësh, e cila edhe u miratua unanimisht nga këshilltarët. (Fatlum Aqifi, TVM2)