MAQEDONI

Në Tiranë, Ahmeti takon krerët e Shqipërisë

10.10.2014 16:27

Shqipëria do ta japë maksimumin e saj për të ndihmuar Maqedoninë të integrohet në strukturat euroatlantike......

Garancinë e ka dhënë sot kreu i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, gjatë takimit me kreun e partisë Bashkimi Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Tiranë.

Meta, foli për intensifikim të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, ndërsa theksoi mbështetjen për vendin fqinj, që do të ndikonte pozitivisht në mbarë rajonin.

Ndërsa kreu i BDI në Maqedoni, Ali Ahmeti, e cilësoi Shqipërinë si vendi amë, i cili u qëndron pranë bijve të tij. Ahmeti, vlerësoi edhe njëherë rolin e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Ahmeti është takuar fillimisht me presidentin, Bujar Nishani.

Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit në Maqedoni, proceset e integrimit në BE dhe anëtarësimit në NATO, si dhe mbi ecurinë e marrëdhënieve dypalëshe, duke u përqendruar veçanërisht në bashkëpunimin ekonomik. Gjithash, Ahmeti është takuar edhe me kreun e Opozitës, Lulzim Basha, si dhe me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. (Luljeta Ndoka, TVM2)