Shqipëri, rritet në 89 numri i të infektuarve nga “Covid 19”

22.03.2020 14:12

89 te prekur me virusin korona është bilanci më i fundit i “Covid 19” në Shqipëri....

89 te prekur me virusin korona është bilanci më i fundit i “Covid 19” në Shqipëri. 24 orët e fundit kanë sjellë një rritje prej 13 rastesh të reja, ndërsa për herë të parë është publikuar edhe mosha mesatare e të prekurve, rreth 48 vjeç.

Numri i personave që kanë lënë spitalin është 3. Harta e të infektuarve është zgjeruar edhe me Kavajën dhe Korçën.

“Deri në këto momente janë testuar 804 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 89 raste. Janë shënuar deri tani dy raste humbje jete.Ju informojmë se tre pacientët e parë kanë lënë aktualisht spitalin të shëruar por theksojmë se, pas daljes nga spitali, pacientët e rikuperuar duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale. Ndërsa është rritur numri i pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv, ku ndodhen aktualisht 43 pacientë.4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike. Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente” – u shpreh Albana Fiço, drejtoreshë e ISHP-së.

Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 154 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Janë evidentuar 129 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.  Janë konstatuar 17 subjekte tregtie që nuk kanë respektuar orarin për mbylljen në orën 13:00 dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative.

Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të “Covid-19”. (Luljeta Ndoka, TVM2)