Viktima e parë, shtrëngohen masat në Kumanovë

22.03.2020 18:16

Pas regjistrimit në Kumanovë të rastit të parë dhe viktimës së parë në vend me virusin Korona....

Pas regjistrimit  në Kumanovë të rastit të parë dhe viktimës së parë në vend me virusin Korona, nga spitali i qytetit njoftojnë edhe për 2 të infektuar të tjerë që trajtohen në  izolim në repartin  infektiv.

Edhe djali i të ndjerës ndodhet në Klinikën për sëmundje infektive në gjendje stabile. Nga spitali i Kumanovës  u apelojnë qytetarëve që të mos fshehin kontaktet dhe udhëtimet jashtë vendit sepse kështu  rrezikojnë jo vetëm të afërmit e qytetarët e tjerë, por edhe stafin mjekësor. 

Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim ka shtrënguar masat për mbrojtje nga Kovid 19.

“Obligohet  NP ‘Kumanova parking’ të ndërpresë me pagesën e shërbimit për parking në të gjitha vend parkimet e zones së parë dhe të dytë,  kurse të punësuarit në këtë ndërmarrje të angazhohen në aktivitetet e NP ‘Pastrim dhe gjelbërim’ rreth dezinfektimit të sipërfaqeve publike në qytet. Ndërkaq NP ‘Tregu’ obligohet ta mbyll për punë nivelin e dytë dhe të tretë ku shiten prodhime jo ushqimore, kurse edhe të punësuarit e kësaj ndërmarrje të angazhohen me të punësuarit e NP ‘Pastrim dhe gjelbërim’ rreth dezinfektimit” – deklaroi Kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

 Dimitrievski nga Qeveria kërkoi zgjerimin e kohëzgjatjes së  orës policore.

“Kërkojmë nga Qeveria e RMV që të aplikohet regjim I posaçëm për kontrollet e hyrje daljeve në Kumanovë me punkte kontrolluese duke e vënë qytetin në gjendje krize. Gjithashtu nga Qeveria kërkojmë rritjen e ores policore nga ora 18.00 deri në ora 06.00, e jo prej ora 21.00” – u shpreh numri një i Kumanovës.

Duke kuptuar seriozitetin e situatës ,  rrugët e Kumnovës këtë të diel ishin tërësisht të boshatisura. (Fatlum Aqifi, TVM2)