Kurc: KE, të heq dorë nga bllokada e Maqedonisë
Ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurc, kërkoi nga Këshilli i BE-së të heq dorë nga bllokada e Maqedonisë.....

Në deklaratën për Raportin e Progresit të KE-së, për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, Kurc paralajmëron se vetëm integrimi i tërësishëm i këtyre vendeve do ta stabilizojë tërësisht Ballkanin.
“Për fat të keq, frika ime po konfirmohet. Bllokada e vazhdueshme e negociatave të pranimit të Maqedonisë, e shkaktuar nga mosmarrëveshja e pazgjidhur e emrit me Greqinë, vë në pikëpyetje rezultatet e arritura. Në afat të gjatë kohor, kjo mund të çojë në destabilizim të të gjithë rajonit. Prandaj unë i bëj thirrje këshillit që të heq bllokadën për këtë çështje”- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme të Austrisë, Sebastian Kurc.
Pavarësisht atmosferës së pafavorshme në opinionin austriak për zgjerimin e BE-së me vendet nga Ballkani, ku sipas sondazhit të fundit, 26 për qind e austriakëve e mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, kundër janë 55%, Kurc thotë se ai e kupton skepticizmin mes austriakëve, por është i sigurt se ekonomia e vendit do të përfitojë nga stabilizimi ekonomik dhe politik i Ballkanit Perëndimor. (Flutura Latifi, TVM2)
