Botë

Covid-19, mbi 34 mijë numri i të prekurve në botë

23.03.2020 15:08

Numri i të infektuarve në korniza botërore me virusin Korona kalon shifrën mbi 341 mijë....

Numri i të infektuarve në korniza botërore me virusin Korona kalon shifrën mbi 341 mijë, prej të cilëve 14 mijë të vdekur, kurse 99 mijë të shëruar. Në Qendrën Klinike të Malit të Zi një person i moshës 65-vjeçare sonte ka ndërruar jetë nga virusi Korona. Ai është viktima e parë me Covid-19 në Mal të Zi, ku janë regjistruar 21 të prekur. 
 
Në Greqi janë shënuar 2 viktima vetëm 24 orët e fundit, duke e çuar në 17 numrin e përgjithshëm të personave të vdekur në Greqi, ku deri tani janë shënuar 624 të prekur me virusin Korona. Në Serbi janë regjistruar 222 të prekur, ndërsa dy persona tanimë kanë humbur jetën. 
 
Në Itali numri i të prekurve nga Covid 19 arriti në 60 mijë, ndërsa 5 mijë e 476 persona të vdekur. Në Itali kanë arritur sot 9 avionë rusë, 100 infektologë dhe virusologë, si dh mjete të tjera medicinale, ndihmë për të luftuar kundër virusit vdekjeprurës Covid 19. 
 
Në Spanjë vazhdon të mbretërojë situatë alarmante me numër të të infektuarve nga virusi Korona. Të dhënat më të reja flasin për 29 mijë e 909 të prekur, prej të cilëve vetëm sot numri i të infektuarve është shtuar për 1 mijë e 141 persona, kurse numri i të vdekurve ka arritur në 41. Në Spanjë ka filluar zbrazja e hoteleve dhe me vendim të Qeverisë spanjolle prej nesër do të mbyllen. 
Në Gjermani numri i të prekurve nga virusi Korona ka arritur në  25 mijë. 
 
Në Kinë, më konkretisht në Vuhan, aty ku ishte vatra e krizës me Covid 19, për 5 ditë rresht nuk është regjistruar asnjë rast i ri i infektuar me virusin Korona. Në nivel të përgjithshëm në Kinë janë regjistruar gjithsej 39 raste të reja për të cilët thuhet se janë persona që kanë ardhur nga jashtë. 
 
Në ShBA, çdo i treti amerikan prej sot do të duhet të mbetet në shtëpi pas vendimit të djeshëm të dy shteteve, Ohajo dhe Liziana, për lëvizje të kufizuar të qytetarëve si masë parandaluese për përhapjen e virusit Covid 19. Paraprakisht masë të njëjtë vendosën edhe Nju Jorku, Kalifornia, Ilinois, Konektikat dhe Nu Xhersi, ku numri i përgjithshëm i popullatës numëron 100 milionë amerikan. Në ShBA, sipas të dhënave më të fundit, numri i të prekurve ka arritur në 35 mijë, 1500 persona të infektuar brenda 24 orëve, ndërsa të vdekur 39. Demokratët në Senat u deklaruan kundër pakos së re ekonomike, ndërkohë që kërkuan ndihmë për punonjësit shëndetësorë si dhe të prekurit nga epidemia.  
 
MERITA GASHI