Maqedoni
Sugarevski: Përpiqemi të evitojmë pasojat për qytetarët. Tanasovski: Lehtësime doganore për materialin dezinfektues
23.03.2020 15:53
Ministri i transportit, Goran Sugarevski, tha se Qeveria po bën përpjekje maksimale që të stabilizojë punën e kompanive transportuese...

Ministri i transportit, Goran Sugarevski, tha se Qeveria po bën përpjekje maksimale që të stabilizojë punën e kompanive transportuese të cilat kryejnë transport të mallit, megjithëse presin goditje të rëndë në çdo sektor.
Sugarevski shtoi se qeveria gjithashtu po përpiqet që të sigurojë jetë normale për çdo qytetar, me sa më pak pasoja.
Ai tha se konform masave, nëse e do nevoja mund të aplikohen edhe masat shtesë sa i përket transportit dhe udhëtimit të qytetarëve jo vetëm në nivel urban, por dhe në nivel lokal, që do të thotë ndalesë e udhëtimeve nga qyteti në fshat.
“Qeveria ka sjellë masa për uljen në 50 për qind të numrit të udhëtarëve në transportin urban, ku udhëtarët njëri me tjetrin të jenë në distancë prej 2 metrash. Në pajtim me rekomandimet e Shtabit të Krizës, Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria, nëse e shohin të arsyeshme dhe të domosdoshme, mund të aplikojnë edhe masa shtesë, siç është ndalesa e transportit të qytetarëve në mes qyteteve dhe fshatrave.”,- tha ministri i transport dhe lidhjeve, Goran Sugarevski.
Ndërsa Drejtoria e Doganave si masë shtesë i rekomandon qeverisë të marrë vendim për heqjen e taksës doganore për pajisje dhe material mjekësor, dezinfektues, dhe etil alkool mjekësor, deklaroi drejtori i Drejtorisë së Doganave, Gjoko Tanasovski.
“Janë kërkuar ndryshime urgjente në ligjin për dhënien e lejeve për shfrytëzim të autorizuar të alkoolit etil, i cili shfrytëzohet nëpër barnatore, apo kompanitë të cilat prodhojnë mjete dezinfektuese. Obligimi ligjor anulohet për 6 muajt e ardhshëm.”,- u shpreh Gjoko Tanasovski nga Drejtoria e Doganave.
Qeveria parashikon edhe lehtësime në procedurat doganore edhe për furnizim me etanol, leje për kompanitë e autorizuara për shpërndarjen e alkoolit në spitalet e vendit, barnatoret dhe shtëpitë e shëndetit.
BESIM ABDULLAI
