Maqedoni

Partitë politike, kundër propozimit të Zaevit për shkurtimin e pagave

23.03.2020 16:44

VMRO-DPMNE është kundër masave ekonomike që i propozoi kreu i LSDM-së, Zoran Zaev....

Lideri i kësaj partie, Hristian Mickoski, kërkon që masa për shkurtim të pagave të punëtorëve në administratë të tërhiqet, pasi që do të përkeqësojë edhe më shumë situatën. Ai ofroi një metodologji se si të vihet deri një miliard euro për ndihmë ekonomisë pas pasojave nga gjendja e jashtëzakonshme me virusin Korona. “Shkurtimi drastik i rrogave duhej fillimisht të nisë nga ministrat, zëvendësministrat, drejtorët, kryetarët e komunave, funksionarët e emëruar, e jo këta të futen me një thes me punëtorët”. 
 
“Të punësuarit në administratë nuk i kanë privilegjet e funksionarëve qeveritarë, por tani me propozimin e Zevit do ta kenë rrogën e njëjtë prej 14.500 denarë, një numër i madh i qytetarëve kanë kredi dhe nuk mund të varen nga mëshira e bankave dhe joserioziteti i Zevit. Nuk arrihet asgjë nëse shkurtohen rrogat e tyre. Praktikisht shkatërrohet standardi i tyre dhe nuk dalim nga kriza nëse i dënojmë punëtorët. Bëhet fjalë për masë që ekonomikisht është e paarsyetueshme.”,- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski. 
 
Me propozimin e Zoran Zevit lidhur me shkurtimin e rrogave nuk pajtohet as BDI. Nga kjo parti thonë se janë për shkurtim të rrogave të funksionarëve, por jo të administratorëve, sektorit publik dhe privat.
 
“Vlerësojmë që kriza duhet të zgjidhet në institucione e jo në selitë partiake. BDI konsideron që së pari nevojitet disiplinë shembullore dhe ndihmë nga qytetarët, duke qëndruar në shtëpi dhe duke iu përmbajtur rekomandimeve, ndërsa propozim-masat tona solidarizuese do t’i propozojmë nëpërmjet ekipit tonë ekonomik dhe qeverisës në institucionet përkatëse. BDI do të vijojë të kujdeset për shtetin, shëndetin publik, administratën, sektorin privat dhe të gjithë qytetarët”,- thuhet në reagimin e BDI-së. 
 
Edhe lideri i PDSh-së, Mendu Thaçi, është kundër shkurtimit të rrogave për administratorët dhe jep disa propozime.
                                                                                 
“Është mirë që fillimisht të gjithë drejtuesve të zgjedhur e të emëruarve t’u zbritet rroga 50%. Nuk ka nevojë të preken administratorët, arsimtarët dhe të tjerët. Masa tjetër është urgjentisht të ndërpritet aktiviteti i përmbaruesve dhe të gjitha borxhet që kanë qytetarët të barten tre ose katër muaj më andej.”,- theksoi lideri i PDSh-së, Mendu Thaçi.
 
Nga “Alternativa” thonë se marrë parasysh harxhimet mujore të qytetarëve, rroga minimale e propozuar për punëtorët e sektorit publik nuk mund t’i mbulojë nevojat e tyre elementare. Edhe ata propozojnë disa masa.  
 
“Qeveria të kërkojë nga EVN vendosjen e tarifës së lirë të rrymës për 24 orë për muajin prill dhe maj, kjo për arsye se tash të gjithë qytetarët janë në shtëpi dhe, rrjedhimisht, rritet edhe shpenzimi i rrymës elektrike. Shtyrja e afatit të pagesës së faturave nga EVN, shërbimet e telekomunikimit, “Ujësjellësi” dhe “Higjiena Komunale” për muajt prill dhe maj dhe ofrimi i mundësisë së pagesës me këste për ata që nuk kanë mundësi t’i paguajnë. Të anulohet financimi i partive politike për këtë vit dhe mjetet e parapara të shfrytëzohen për mbulesën e masave ekonomike.”,- theksohet nga “Alternativa”.
 
Propozimi për shkurtimin e rrogave u kundërshtua edhe nga “Aleanca për Shqiptarët”. Pritet të shihet se çfarë vendimi do të sjellë Qeveria lidhur me masat ekonomike që paralajmëroi Zoran Zaev. 
 
SANIJE DURAKU