SÇE-ja, me akademikë shqyrton raportin e KE-së
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, ka ftuar në një takim drejtues dhe pedagogë të universiteteve kryesore të vendit për të diskutuar Progres-Raportin për vitin 2014........

Përfaqësuesit e universiteteve vlerësojnë se progres në procesin eurointegrues mund të shënohet vetëm me angazhimin e personave kompetent dhe përfshirjen e të gjithë faktorëve.
“Me këtë rast, bashkëbiseduesit ranë dakord për bashkëpunim të mëtutjeshëm përmes organizimit të tribunave, diskutimeve dhe debateve të përbashkëta, me qëllim të arritjes së përfshirjes dhe transparencës më të madhe, si dhe rritjes së përkrahjes dhe avancimit të procesit për aderim në Bashkimin Evropian”-thuhet në kumtesën e lëshuar nga Sekretariati për Çështje Evropiane.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Fatmir Besimi, ka theksuar se kryesore është që edhe në këtë raport mbetet rekomandimi për fillimin e negociatave, me rëndësi kjo për thellimin e mëtutjeshëm të procesit të reformave. Sipas tij, qeveria seriozisht i qaset çdo gjetjeje të raportit.
“Diskutimi me komunitetin akademik është veçanërisht i rëndësishëm për shqyrtimin e të gjitha rekomandimeve dhe ideve për tema dhe aktivitete konkrete, të cilat do t’i ndërmarrim bashkërisht në periudhën e ardhshme”- ka thënë Besimi.
Pas marrjes së Raportit të Progresit, Sekretariati për Çështje Evropiane ka vendosur që të organizojë një sërë diskutimesh me institucione kompetente, komunitetin akademik, shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
