Maqedoni

Virusi Korona - 22 raste të reja, shënohet viktima e dytë

23.03.2020 17:52

Regjistrohen edhe 22 pacientë të rinj të infektuar me virusin Korona në Maqedoninë e Veriut...

Regjistrohen edhe 22 pacientë të rinj të infektuar me virusin Korona në Maqedoninë e Veriut, duke e çuar kështu në 136 numrin e përgjithshëm të pacientëve me Covid-19.
 
Nga të infektuarit e rinj, 15 raste janë të regjistruara në Shkup, 4 në Dibër, 2 në Kumanovë dhe në Ohër 1 rast, ndërsa sot është regjistruar edhe viktima e dytë nga virusi.
 
Bëhet fjalë për një burrë 63-vjeçar nga Dibra, i cili gjatë ditëve të fundit ka pasur gjendje të rënduar duke përfunduar me fatalitet.                   
 
“Mbrëmë në Klinikën për Sëmundje Infektive ka ndërruar jetë një pacient nga virusi Korona. Bëhet fjalë për pacient të moshës 63-vjeçare nga Dibra, të cilit mbrëmë iu keqësua gjendja shëndetësore. Dua të potencoj se pacientët të cilët paraprakisht kanë pasur probleme me organet respiratore janë më të rrezikuar. Në grupin e të rrezikuarve bëjnë pjesë edhe të moshuarit, por kjo nuk është ndonjë rregull e shkruar. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 22 raste të reja me virusin Korona. Numri i përgjithshëm i pacientëve të infektuar deri në orën 12 është 136, prej të cilëve një është shëruar derisa 2 prej tyre kanë ndërruar jetë.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.                         
                          
Filipçe njëherit njoftoi se vendi do të nisë me aplikimin e terapisë së përfolur për t’i bërë ballë Covid-19.
 
“Marrë parasysh se janë publikuar shumë studime për terapinë tashmë të aplikuar në të gjithë botën, ne kemi siguruar, të gjithë, sasi të mjaftueshme për një numër të madh të pacientëve me virusin Korona në vendin tonë. Procedura është e tillë që protokolli për terapi duhet të pranohet në Kolegjiumin Profesional të Klinikës së Sëmundjeve Infektive, që u bë këtë mëngjes dhe sot ose nesër pritet të përfundojë procedura ligjore, me çka do të merret leje përfundimtare për të përdorur këtë kombinim të terapisë nga Agjencia për ilaçet “Malmed”, ku më pas do të aplikohet menjëherë tek të gjithë pacientët me virusin Korona. Bëhet fjalë për terapi ndaj të cilës do të bëhen studime klinike, por shumë shtete tashmë e kanë vendosur në protokollet e tyre, duke marrë parasysh se ka treguar rezultate të mira.”,- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe. 
                                                                                      
Filipçe po ashtu potencoi se bazuar në situatën të cilën gjendet vendi, pritet trend i rritjes së numrit të personave të infektuar, prandaj ajo që duhet të bëjnë qytetarët është respektimi maksimal i masave të autoriteteve. 
 
ZEKIRIJA MEXHITI