Virusi Korona, OBSH: Virusi ka marrë hov, të unifikojmë veprimet

24.03.2020 19:40

Mbi 380 mijë raste janë konfirmuar në rang botëror nga virusi korona...

Mbi 380 mijë raste janë konfirmuar në rang botëror nga virusi korona, prej të cilëve në mënyrë fatale kanë përfunduar mbi 17 mijë raste. Të dhënat tregojnë se 85 për qind të rasteva të reja të lajmërimeve janë nga Evropa dhe SHBA.

Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron që virusi ka marrë hov, e  apeloi grupin e vendeve më të industrializuara, që të punojnë së bashku në prodhimin e paisjeve mbrojtëse

“Janë dashur 67 ditë nga rasti i parë për të arritur në 100,000 raste; 11 ditë për 100-mijëshin e dytë dhe vetëm katër ditë për 100-mijëshin e tretë” – tha Drejtori Gjeneral i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Italia vazhdon të jetë epiqendër e virusit me 4789 raste të konfirmuara në 24 orët e fundit. 601 persona humbën jetën. Edhe pse numri i vdekjeve dhe të infektuarve ka një trend të uljes, ekspertët shëndetsor italian thonë se lufta me virusin korona ende nuk është fituar.

Vetëm në 24 orët e fundit, numri i vdekjeve nga pandemia e koronavirusit në Spanjë ka shkuar në 2,696, me 514 viktima të reja, që e bën Spanjën të jetë vendi I dytë më I prekur në Evropë nga koronavirusi. 

Gjermania po dallohet nga vendet e tjera me shkallën e ulët të vdekshmërisë në raport me shifrën e të infektuarve.

Në Turqi janë paraqitur 7 raste të reja të vdekjes dhe 293 raste të reja infektimi.  Kryeministri britanik ka urdhëruar mbylljen e lokaleve dhe ndalesë për grupimin e më shumë se dy personave.Në SHBA ishte numri më i madh i të infektuarve në 24 orët e fundit, me mbi 10 mijë raste të reja.

OBSh jep alarmine se SHBA-të mund të jenë epiqendra e re e virusit korona. Përderisa pjesa më e madhe  e botës në mënyrë serioze po përballen me këtë pandemik, nga Vuhani ku ishte burimi i këtij virusi  vjen një lajm i mirë.

Pas më shumë se dy muajsh, izolimi në qyteti kinez do të marrë fund më 8 prill, raporton media shtetërore e Kinës. (Ersan Pajaziti, TVM2)