Maqedoni

Vendimi i BE-së për fillimin e bisedimeve, Zaev: Kjo u arrit pas një pune të guximshme

25.03.2020 14:49

Kjo gjeneratë duhet të ndjehet krenare, sepse arriti që vendin ta anëtarësojë në NATO...

Kjo gjeneratë duhet të ndjehet krenare, sepse arriti që vendin ta anëtarësojë në NATO dhe të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në. Kështu deklaroi kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, sipas të cilit deri te kjo u arrit pas një pune të përkushtuar dhe vendimeve tejet të guximshme. KE duhet të bëjë përgatitjet dhe konferenca e parë ndërqeveritare do të mbahet sa më shpejt që të jetë e mundur, tha Zaev.  
 
“Në kulmin e luftës kundër virusit Korona, kur të gjitha kapacitetet dhe mendimet tona janë të përqendruara në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe sanimin e pasojave evropiane, ky është një mesazh inkurajues që vetëm me punë të fortë dhe vendime shtetërore mund të ballafaqohemi me sfidat. Ne kemi çliruar shtetin, kemi ndërmarrë hapa dhe kemi marrë vendime të guximshme për të zgjidhur problemet me fqinjët tanë. Ne i dhamë fund korrupsionit dhe frikës, e futëm vendin në NATO dhe tani po fillojmë negociatat me BE-në.”,- tha Zoran Zaev nga LSDM.
 
Zaev njëherit thumboi VMRO-në duke theksuar se për vendimin e BE-së kanë arritur urime nga të gjitha anët, përveç nga partia më e madhe opozitare maqedonase. 
 
VMRO–DPMNE: Zaev dhe Spasovski t’i futen punës
 
Por, nga partia e Mickoskit mohojnë pretendimet e Zaevit dhe kërkojnë që ai dhe kryeministri Spasovski t’i futen punës, pasi që sistemi shëndetësor po shkatërrohet dhe këtë e dëshmon fakti që 12% për qind e të infektuarve me virusin Korona janë mjekë dhe punonjës mjekësorë.  
 
“Dyfytyrësia e  LSDM-së doli përsëri në dritë. Dje, VMRO-DPMNE mirëpriti vendimin pozitiv të Këshillit të Ministrave të BE-së dhe shpreson të marrë një datë për konferencën e parë ndërqeveritare me vendet anëtare të BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur. Qytetarët e dinë që Zoran Zaev dhe LSDM poshtëruan, nënçmuan dhe shkatërruan Maqedoninë. Po vjen koha kur VMRO-DPMNE do të bëjë përsëri qytetarët dhe Maqedoninë krenarë dhe do vijë koha kur do të marrë fund kjo marrëzi kriminale e LSDM-së”,- thuhet në reagimin me shkrim të VMRO-DPMNE-së. 
 
Një ditë më parë, vendimin e BE-së për të filluar bisedimet me RMV-në e kanë përshëndetur krerët e institucioneve në vend dhe partitë politike shqiptare. 
 
SANIJE DURAKU