Maqedoni
Kumanovë, shkon në 11 numri i të infektuarve me Covid-19
25.03.2020 15:34
Në qytetin e Kumanovës janë shtuar edhe 3 raste të reja të infektuar me virusin Korona..

Në qytetin e Kumanovës janë shtuar edhe 3 raste të reja të infektuar me virusin Korona, numri i përgjithshëm i të infektuarve tani arrin në 11 me një tashmë të vdekur. Edhe në mbledhjen e sotme të Shtabit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim është dalë me një sërë kërkesash deri te Qeveria e RMV-së.
“Më e rëndësishme sipas meje në këto momente është që t’u apelojmë dhe bëjmë thirrje Ministrisë së Shëndetësisë dhe Komisionit për Shëndetësi që të ndihmojnë me mjekë, epidemiologë si dhe personel të këtyre lëmive, me qëllim të përforcimit të kuadrit në Spitalin e Përgjithshëm të Kumanovës, që të vazhdohet me intensitet të lartë të testimit të qytetarëve tek të cilët dyshohet apo tregojnë se kanë simptomat të virusit COVID-19.”,- tha kryetari i komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Për shkak të shpejtësisë me të cilën po përhapet virusi COVID-19, Shtabi edhe në takimin e sotëm këmbëngul që të aplikohet masa për karantinë të tërësishme të Kumanovës.
“Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim me këmbëngulje kërkon dhe qëndron në kërkesën e saj deri te Qeveria e RMV-së që e njëjta të aplikojë masën e karantinës së tërësishme të Kumanovës, vënien e punkteve në hyrje-daljet e qytetit si dhe kontrollin dhe dezinfektimin e obligueshëm të makinave dhe qytetarëve.”,- u shpreh Dimitrievski.
Gjithashtu nga Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim njoftojnë qytetarët se Spitali i Përgjithshëm në Kumanovë të gjitha rastet që nuk kanë simptoma të virusit COVID-19, por që kanë temperaturë të lartë trupore, të njëjtit të udhëzohen tek repartet spitalore për sëmundje të veshëve, hundës dhe fytit.
FATLUM AQIFI
