Botë
Kuvendi i Kosovës, mocion mosbesimi për qeverinë Kurti
25.03.2020 18:22
E irrituar për shkarkimin e ministrit të brendshëm, Agim Veliu, por edhe për mos-heqjen e taksës...

E irrituar për shkarkimin e ministrit të brendshëm, Agim Veliu, por edhe për mos-heqjen e taksës, e që siç pretendon LDK u dëmtuan raportet me ShBA-të, në kohën kur bota po merret me pandeminë e virusit Korona, LDK propozoi mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë.
Kryetari i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Arben Gashi, ftoi deputetët të votojnë pro mocionit të mosbesimit, duke thënë se Kuvendi duhet të mundësojë formimin e një qeverie të stabilitetit.
“Me këtë veprim, Kuvendi krijon mundësinë e formimit të një qeverie të stabilitetit, me kohëzgjatje të kufizuar, e cila do të adresonte sfidat imediate me të cilat po ballafaqohet vendi, si në pozicionin e politikës së jashtme, ashtu edhe në dinamikat e krijuara brenda vendit.”,- u shpreh Arben Gashi nga LDK.
Por, kryeministri, Albin Kurti, tha se qeveria e tij nuk po rrëzohet as për shkarkimin e një ministri e as për taksën apo raportet me ShBA-të, por për shkak se ai si kryeministër nuk pranon ta nënshkruajë një marrëveshje me Serbinë, për të cilën kanë biseduar fshehurazi me Serbinë.
Por, krahas LDK-së, mocionin e përkrahën edhe deputetët e PDK-së, AAK-së, koalicionit Nisma-AKR dhe deputetët e Listës Serbe.
GYLTENE SINANI
