Bllokohet xhirollogaria e komunës së Gostivarit, Taravari: Vendim skandaloz në këtë situatë

26.03.2020 17:49

Kreu i Komunës akuzon se ky bllokim është bërë me urdhër partiak....

Edhe pse për shkak të pandemisë me “Covid 19”, qeveria me një Dekret me fuqi ligjore ua ndaloi përmbrauesve të kryejnë procese përmbaruese,  xhirollogaria e komunës së Gostivarit është bllokuar sot.

Kreu i Komunës akuzon se ky bllokim është bërë me urdhër partiak për shkak të borxhit që komuna ka që nga vitet 2015, 2016 dhe 2017 ndaj Njësisë Territoriale Kundër Zjarreve, me të cilën ka një kontratë që borxhi të paguhet në këste por megjithatë procedura është dërguar në  përmbarim.

Për situatën është njoftuar edhe kryeministrin teknik, Oliver Spasovski, i cili ka thënë se nuk ka njohuri për këtë çështje.

“Pavarësisht kësaj, unë u them qytetarëve të jenë komodë, do ta tejkalojmë edhe këtë situatë edhe pse ndodh në një periudhë shumë të rëndë një institucioni t’i bllokohet xhiro-llogaria, është skandaloze. Shuma që duhet t’u paguhet zjarrfikësve është 100 mijë euro, një shumë jo shumë e lartë, por vështirë sot këto para të grumbullohen kur qytetarët nuk paguajnë tatime për shkak të gjendjes që mbretëron në vend” – tha Kryetari i Gostivarit, Arben Taravari.