Maqedoni
Virusi Korona, 525 mijë të infektuar në botë, 23,714 viktima
27.03.2020 10:29
Më shumë se gjysmë milioni njerez janë infektuar me virusin korona në mbarë botën....

Më shumë se gjysmë milioni njerez janë infektuar me virusin korona në mbarë botën. Europa, Azia dhe SHBA mbajnë barrën më të madhe të shifrave
Në të gjithë botën ka 23,714 viktima dhe 123,329 të shëruar. Aktualisht janë 378,740 raste aktive. SHBA-të aktualisht mbajnë rekordin, mbi 84,404 pacientë kanë rezultuar pozitivë në teste duke tejkaluar edhe Kinën dhe Italinë, 1,100 persona kanë vdekur.
Kina në orët e fundit ka pasur vetëm 6 viktima dhe 67 raste të reja, të gjitha të importuara nga jashtë dhe 0 raste nga province e Hubeit. Kina do të ndalojë hyrjen e të huajve me viza dhe leje qëndrimi, për të kufizuar numrin e rasteve të viruseve të importuara. Ajo është shprehur e gatshme ti ndihmojë edhe SHBA-ve.
Mbi 250 mijë të infektuar janë në Europë. Italia ka mbi 8.200 viktima, 662 vetëm në 24 orët e fundit. Spanja ka viktima sa gjysma e Italisë 4.154. Edhe në Gjermani, që është vendi europian më pak i prekur nga pandemia, ka 55 të vdekur vetëm në 24 orët e fundit ndërsa numri i të prekurve të rinj u rrit me 5780.
Në Greqi është rritur në 26 numri i të vdekurve, 4 vetëm gjatë 24-orëve të fundit kur janë shënuar edhe 71 raste të reja infektimi duke e rritur në 892 numrin e përgjithshëm të të infektuarve.
Në Serbi për 24 orë u regjistruan 73 raste të reja duke e çuar në total numrin e të prekurve në 457. Prej tyre 21 janë në gjendje kritike, 15 janë shëruar.
Në Turqi janë regjistruar 16 vdekje të reja, me çka numri i përgjithshëm i të vdekurve nga nga COVID-19, ka shkuar në 75. Edhe 196 pacientë të rinj janë diagnostikuar si pozitivë dhe janë izoluar bashkë me kontaktet e tyre.
