Ilir Shaqiri vjen për publikun me romanin “Tan Temali”
Këngëtari i shquar shqiptar, Ilir Shaqiri, ka promovuar romanin e tij të parë të titulluar “Tan Temali”........

Në këtë libër, ai rrëfen për ngjarjet historike dhe kulturore që e kanë shënuar jetën e brezit që e krijoi lëvizjen kombëtare, e cila solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në parathënien e librit, akademik, Rexhep Qosja, thotë se në këtë roman lexuesi do të gjejë jo vetëm kulturë krijuese dhe mbamendje të pasur, por edhe imagjinatë të papritur, që tregohet përmes krijimit të ndjenjave, mendimeve, përjetimeve, shprehjeve, shfaqjeve të shumëllojshme të botës së protagonistit dhe të personazheve.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, është shprehur se promovimi i sotëm i veprës letrare të Ilir Shaqirit këtij manifestimi i jep një dimension ndryshe dhe na bën më të ndërgjegjshëm dhe na tregon se ai ka arritur pjekurinë dhe seriozitetin artistik që jo shumë njerëz të artit e kanë.
“Ilir Shaqiri, është në mesin tonë si njeri i cili i dha zemër rinisë shqiptare atëherë kur më së shumti kishte nevojë, por që u dha emër edhe njerëzve të rëndomtë, të cilët, duke hyrë në histori, i përjetësoi edhe në këngë. Sot, ai, këtu si në shtëpinë e tij ka ardhur me një botim tjetër, duke na kujtuar se shpirti i artistit nuk pushon së krijuari nëse dashuria për vendin dhe popullin nuk ka fund. Mirë se erdhe në Shkupin e Dardanisë z. Ilir Shaqiri, dyert e kësaj komune për ju gjithmonë do të jenë të hapura bashkë me këngët dhe krijimtaritë tuaja”- u shpreh kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Vlerësime të larta letrare për “Tan Temalin” e Ilir Shaqirit u dhanë edhe nga botuesit, por edhe nga miqtë e tij.
“Në çdo rast ka sjellë mjaft këngë të bukura, frymëzuese dhe zëri i tij i veçantë, vargjet e këtyre këngëve që janë mjaftë të fuqishme, muzika tepër e qëlluar, i kanë dhënë atij famën që ka sot. Një nga ndihmesat më të paçmuara që artisti, Ilir Shaqiri, ka dhënë gjatë karrierës së tij të gjatë është ajo e përkrahjes së luftës së UÇK-së. Gjatë vitit 1998-1999, për të gjithë ata që nuk e dinë, Ilir Shaqiri ka dhënë mbi 100 koncerte në të gjithë Evropën kudo që kishte shqiptarë, në mbështetje shpirtërore dhe frymëzuese për lirinë e Kosovës”- tha nga Shtëpia Botuese “TOENA”, Irena Toçi.
“Kur Rexhep Qosja rekomandon një shqiptar të ri, do të thotë se kemi të bëjmë me një vlerë, por sigurisht skepticizmi qëndron gjithmonë kur bëhet fjalë për një rast të parë, por kur kemi lexuar librin, një roman që për shumë arsye do t’ua rekomandoja si botues i vjetër në këtë më shumë se 20 vjeçar në letrat shqipe”- deklaroi miku i autorit, Fatmir Toçi.
Autori, Ilir Shaqiri, është shprehur se në romanin “Tan Temali” ndodhen edhe historitë, bëmat dhe ndodhitë e pjesëmarrësve në luftën e Kosovës.
“Nuk kam bërë asgjë më shumë, por kam dashur atë që s’kam mundur ta rrëfej përmes këngës, kam dashur ta bëj përmes letrave. Do të ndjehem shumë i nderuar nëse nga çdokush nga ju ta kem një kritikë çfarëdo që të jetë ajo. Unë mendoj që brenda romanit është jeta jonë e gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen ata, kudo që kanë qenë ata, në periudhën kur kanë jetuar shqiptarët dhe s’ka qenë jetë aq e lehtë për të gjithë ne. Mendoj se në të të gjithë do të gjejnë vendin e vet”- tha Ilir Shaqiri, autor i librit “Tan Temali”.
Në fund, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në emër të qytetarëve të Çairit, i ka dhuruar autorit, Ilir Shaqiri, kornizë me përmendoren e Skënderbeut në Shkup. (Mefail Ismaili, TVM2)
