Liderët evropianë konfirmojnë vendimin për fillimin e bisedimeve
Liderët e vendeve anëtare të BE-së në video konferencën e mbajtur për shkak të virusit Korona....

Liderët e vendeve anëtare të BE-së në video konferencën e mbajtur për shkak të virusit Korona, i konfirmuan konkluzat e Këshillit të Ministrave për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo u theksua në deklaratën e përbashkët pas takimit të shefave të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare. Konkluza e Këshillit të Ministrave përmban angazhimin që Komisioni Evropian pa prolongim do të propozojë kornizën e bisedimeve në konferencën e parë ndërqeveritare, e cila duhet të thirret menjëherë pas miratimit të kornizës.
“U realizua një nga prioritetet e kryesimit kroat me BE-në. Liderët evropianë arritën marrëveshje politike për fillimin e bisedimeve me BE-në, për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo është verifikim i reformave të rëndësishme të kryera nga dy vendet të cilat dëshmuan vullnet të fuqishëm politik për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Kjo dëshmon se BE mbetet e orientuar drejt prioriteteve të saj edhe në rrethana të vështira.”,- ka vlerësuar kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq.
Vendimi u publikua në twiter edhe nga eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheli, të cilin e ka përshëndetur sekretari amerikan i shtetit, Majk Pompeo.
“E përshëndesim vendimin e Këshillit Evropian për qasje drejt bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. SHBA-të mbeten partner i fuqishëm në çdo hap të rrugëtimit.”,- ka shkruar Pompeo në twiter.
Euroambasadori, Samoel Zhbogar, nëpërmjet një prononcimi për Servisin Publik ka uruar qytetarët për këtë vendim të rëndësishëm të BE-së.
“Jetojmë në kohëra të vështira, në një periudhë të errët të virusit, prandaj vendimi që u soll në Bruksel nuk do ta marrë vëmendjen që e meriton, apo mirënjohjen që duhet ta ketë, por ky është vendimi më i rëndësishëm. Prej këtu nuk ka kthim, nuk ka kushtëzime. Asgjë më nuk do të jetë si më parë. Ajo që ndodhi ishte se shteti bëri shumë në sferën e reformave. Madje edhe pas tetorit vazhdoi me reformat, përfshirë Ligjin e Prokurorisë. Te ne vendet anëtare u dakorduan për metodologjinë e re të bisedimeve, pasi u realizuan këto dy kushte vendet anëtare mundën të sillnin vendim për fillimin e bisedimeve.”,- u shpreh ambasadori i BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar.
Vendimi është përshëndetur nga autoritetet në Shkup. Pas hapjes së negociatave na pret një punë shumë e vështirë, ka vlerësuar presidenti, Stevo Pendrovski, nëpërmjet një video mesazhi.
“Në këto ditë të sfidave kur të gjithë jemi të përqendruar tek më të afërmit tanë, shteti ynë bëri hap të rëndësishëm drejt përmbushjes së qëllimit strategjik për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Liderët e vendeve anëtare vërtetuan se duhet t’i nisim bisedimet me Unionin. Komisioni Evropian do të kyçet në definimin e kornizës së bisedimeve, ndërsa konferenca e parë ndërqeveritare do të ndodhë sa më shpejtë që të jetë e mundur.”,- theksoi presidenti Pendarovski, i cili u ka dërguar letër falënderimi liderëve të vendeve anëtare të BE-së për përkrahjen e sinqertë në vazhdimësi. Presidenti thekson edhe anëtarësimin e vendit në NATO që formalisht nis sot, e që, siç tha ai, bëhet fjalë për suksese historike për Maqedoninë e Veriut. Vendimin e përshëndetën edhe zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, dhe partitë politike. (Sanije Duraku, TVM2)
