Kumanovë, numri i të infektuarve shkon në 17, ripërsëritet kërkesa për karantinimin e Kumanovës

27.03.2020 16:21

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kumanovë janë regjistruar edhe 2 raste të reja me virusin COVID-19....

Gjatë 24 orëve të fundit, në Kumanovë janë regjistruar edhe 2 raste të reja me virusin COVID-19, duke e çuar numrin e të prekurve në 17.

Me kërkesë të Shtabit Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim, ekipe të ARM-së në bashkëpunim me NP “Pastrim dhe gjelbërim”,  kanë  marrë pjesë në dezinfektimin e objekteve vitale në Kumanovë, siç janë Spitali i Përgjithshëm në Kumanovë, Qendra e Emergjencës, Qendra për Shëndet Publik, Qendra për Punë Sociale dhe objekte tjera të institucioneve të ndryshme shtetërore.

Ndërkohë që në luftën për parandalimin e virusit Korona, përpos institucioneve shtetërore, po kyçen edhe afaristë nga biznesi privat. Shtëpia e modës “Still” në Kumanovë ka prodhuar mbi 500 maska mbrojtëse për pjesëtarët e MPB-së, Spitalit të Kumanovës dhe Shtëpinë e Shëndetit në Likovë, duke u ofruar njerëzve të cilët drejtpërsëdrejti janë të ekspozuar në luftën kundër virusit COVID-19.

“Duke e pasur parasysh mungesën e maskave në qytetin tonë, morëm iniciativë që sadopak të ndihmojmë kompetentët që çdo ditë përballen me rrezikun, si MPB, Spitali i Kumanovës dhe Shtëpia e Shëndetit në Likovë. Kemi bërë 250 maska për MPB-në, 200 maska për mjekët në Spitalin e Kumanovës dhe 100 maska për mjekët në Shtëpinë e Shëndetit në Likovë, ndjej obligim si zejtar i zellshëm në qytetin tonë që të solidarizohemi me mjekët, pasi janë në vijë të parë të frontit me këtë epidemi.”,- tha Agron Falia nga Shtëpia e modës “Stil”.

Në fund të theksojmë se edhe në mbledhjen e së premtes për të satën herë, Shtabi Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim mbetet në qëndrimin për aplikimin e masës për vënien e Kumanovës në karantinë të tërësishme. (Fatlum Aqifi, TVM2)