MPB: 107 persona nuk e kanë respektuar orën policore

27.03.2020 16:39

Në 24 orët e fundit, Policia e shtetit ka regjistruar 107 raste për mosrespektim të orës policore....

Në 24 orët e fundit, Policia e shtetit ka regjistruar 107 raste për mosrespektim të orës policore, gjegjësisht ndalesës për lëvizje prej orës 21 deri në orën 5. Sipas qyteteve, shkeljet janë shënuar në Shkup - 46 raste, Manastiri - 25, Strumicë - 10, Shtip – 9, si dhe në Tetovë - 4 raste.

Agim Nuhiu: I kënaqur me ndërgjegjësimin e qytetarëve

Zëvendësministri i brendshëm, Agim Nuhiu, në një prononcim për TVM2 shprehet i kënaqur nga zhvillimi i orëve policore gjatë orëve të mbrëmjes. Sipas tij, në masë të madhe ora policore po respektohet, por thekson se ka edhe qytetarë të pandërgjegjshëm që nuk respektojnë rekomandimet e autoriteteve.

“Gjeneralisht respektohet ora policore si masë e re për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. Do dua të them se një numër i caktuar i qytetarëve edhe nuk e respektojnë. Ne kemi shënuar diku te 300 raste të shkeljes së orës policore, kryesisht të grupmoshave mesatare. Megjithatë ka një kulturë, ka një qytetari për respektim të masave dhe protokolleve të qeverisë për përballje me virusin Covid-19.”,- deklaroi zëvendësministri i brendshëm, Agim Nuhiu.

Rikthimi i shtetasve në vend, Nuhiu: Kërkesa marrim çdo ditë

Sa i përket numri të personave të mbetur jashtë shtetit, zëvendësministri i brendshëm thekson se autoritetet akoma nuk kanë një numër të saktë, por bëri me dije se çdo person që hyn në vendin tonë patjetër duhet të karantinohet.

“Ne nuk kemi numër të saktë, por ne çdo ditë në MPB kemi mbledhje të trupit koordinativ. Në baza ditore i analizojmë kërkesat, indikacionet, koordinohemi, marrim konkluza, sjellim rekomandime, planet aksione në baza ditore, menaxhojmë me çdo situatë, përfshirë edhe kërkesat e qytetarëve në baza ditore që kërkojnë të kthehen në vendin tonë. Por, dua të theksoj se këta qytetarë janë të detyruar t’i nënshtrohen karantinës shtetërore, ku tanimë kemi 8 objekte të përcaktuara nga shteti.”,- u shpreh zëvendësministri i brendshëm, Agim Nuhiu.

Gjatë ditës së djeshme nga kontrollet e policisë në terren, gjashtë të rinj deri më moshën 18 vjet nuk kanë respektuar masën për ndalim të qarkullimit deri në orën 12:00 në mesditë, ndërsa 10 të moshuar mbi 67 vjet nuk kanë respektuar orarin e qarkullimit prej orës 05 deri në orën 11. (Zekirja Mexhiti, TVM2)