Virusi Korona, ShBA tejkalon numrin e të infektuarve në Itali

27.03.2020 21:00

Numri i rasteve të infektuara po rritet dita ditës në ShBA.....

Numri i rasteve të infektuara po rritet dita ditës në ShBA, ndërsa për nga numri i të infektuarve ky vend ka tejkaluar Kinën dhe Italinë dhe tani është vendi i parë në botë me më shumë raste të infektuara.

Sipas Universitetit “Johns Hopkins”, 16.815 të tjerë janë infektuar në 24 orët e fundit dhe 255 persona kanë vdekur.

Italia ende nuk e ka arritur kulmin e infektimit, ka  deklaruar  shefi i Institutit Nacional Shëndetësor, Silvio Brusafero. Ai tha se për 24 orë u konfirmuan 6.150 të infektuar të rinj në vend dhe 712 raste të reja të vdekjeve.

Silvio Brusafero tha se ka shenja të ngadalësimit të numrit të të infektuarve të rinj, që tregon se piku i të infektuarve nuk është larg dhe se mund të vijë deri te rënia e trendit.

Ndërkohë, kryetari i Federatave Franceze të Spitaleve ka deklaruar se spitalet në rajonin Ile-de-France, ku bën pjesë edhe kryeqyteti Paris, për dy ditë do të tejkalojnë kapacitetin e tyre.

Numri i të vdekurve nga COVID-19 në Francë, sipas të dhënave të fundit, është 1.969, ndërsa i rasteve të konfirmuara 29.155.

Në mesin e të prekurve me virusin korona ka rezultuar edhe kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Xhohnson, dhe sekretari britanik i shëndetësisë, Matt Hancock, të cilët kanë dalë pozitiv në testet për koronavirus.

“Në 24 orët e fundit unë kam pasur simptoma të lehta dhe dola pozitiv në testin për koronavirus”, ka thënë Johnson përmes një postimi në Twitter.

Ndërkohë në Serbi është rritur në 8 numri i të vdekurve. Viktima ishte një burrë 62-vjeç i cili vdiq në Qendrën Klinike të Vojvodinës dhe që vuante nga diabeti.

Po ashtu brenda 24 orësh në Serbi janë regjistruar 45 raste të reja duke e rritur në  528 numrin e përgjithshëm të personave të infektuar. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)