Maqedonia e Veriut është anëtarja e 30 e NATO-s
Maqedonia e Veriut edhe zyrtarisht është vendi i 30 anëtar i Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior...
Me anëtarësimin në NATO, Republika e Maqedonisë së Veriut ka plotësuar qëllimin strategjik dhe është bërë aleate e shteteve më të fuqishme në botë, thotë ministrja e Mbrojtes Radmilla Shekerinska, në një paraqitje drejtuar Armatës.
“Nga sot jemi NATO, anëtare e Aleancës më të fuqishme. Anëtarësimi në NATO është dhurata e përbashkët për qytetarët dhe atdheun tonë. Anëtarësim i plotëfuqishëm në NATO do të jetë sfidë e madhe për të gjithë ne. Do të jemi aleatë të armatave më të fuqishme, asaj të SHBA-ve, të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, Italisë, por edhe aleatë me armatat fqinje të: Greqisë, Shqiprisë, Bullgarisë dhe Kroacisë, Sllovenisë dhe Malit të Zi. Stërvitjet dhe tranimet e përbashkëta që sot do të kenë një rëndësi tjetër për ju”, u shpreh ministrja e Mbrojtes Radmilla Shekerinska.
Me anëtarësimin në NATO është garantuar integriteti territorial dhe suvereniteti i Maqedonisë së Veriut e kjo do të thotë kufi të sigurt dhe paqë në shtet, konsideron LSDM.
“Në kohë kur balafaqohemi me kërcënim të fuqishëm shëndetësor dhe ekonomik u realizuan dy qëllime stretagjike të shtetit. Republika e Maqedonisë së Veriut edhe zyrtarisht u bë anëtare e NATO-s dhe po fillon bisedimet me BE-në. Si anëtare të NATO-s, vendi ynë veçmë po shfrytëzon sistemin për komandim me incidente nga gjenerata e re e NATO-s për të koordinuar përgjigjen e saj për krizën me Kovid-19 dhe për të siguruar informata dhe këshilla për opinionin në kohë reale”, theksoi sekretar i përgjithshëm i LSDM-së, Ljupço Nikollovski.
Bashkimi Demokratik për Integrim uron të gjithë qytetarët për anëtarësimin e plotë të vendit tonë në NATO pas përfundimit të të gjitha procedurave të procesit të anëtarësimit.
“Vërtetë, proceset e barazisë dhe të integrimit u vonuan, por më në fund u realizuan për t’u bërë të përhershme. Të gjitha të arriturat janë meritë e qytetarëve të vendit tonë. BDI i shpreh mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 28 vendeve aleate për përkrahjen e anëtarësimit tonë në NATO dhe vlerëson që ky është sukses i përbashkët i të gjithë neve.” – thuhet në kumtesën e BDI-së
Edhe PDSH konsideron se me anëtarësimin në NATO zgjidhen çështje shumë të rëndësishme për nga aspekti strategjik dhe gjeo-politik.
“Me këtë, Partia Demokratike Shqiptare si një parti që pa dilema është përcaktuar për vlerat demokratike, përfundimisht realizoi qëllimin e kahmotshëm që Republika e Maqedonisë së Veriut të drejtohet drejt civilizimit perëndimor.” –thuhet në kumtesën e PDSH-së.
SHPËTIM NUREDINI
