Maqedoni

Strugë, edhe 2 raste të reja me Covid-19

29.03.2020 15:13

Në Strugë janë regjistruar edhe dy raste të reja me të prekur nga virusi Korona...

Bëhet fjalë për dy persona nga fshati Llabunishtë, të cilët ndodhen në Klinikën Infektive në Shkup.

Deri më tani, në Strugë janë regjistruar 5 raste, një prej të cilave ndërroi jetë ditën e djeshme. Prokuroria Publike do të hetojë rastin e gruas 66 vjeçare nga Tateshi i Epërm, e cila ndërroi jetë para se të arrinte në Klinikën Infektive në Shkup.

Ajo nga mjeku amë ishte udhëzuar të shkonte në Spitalin e Infektologjisë në Ohër, por atje nuk është pranuar. Ky rast dhe rritja e numrit të të infektuarve ka ndikuar që spitali i Strugës të detyrohet të hap spital ditor.

Këtë e konfirmon për Servisin Publik drejtori i spitalit të Strugës, Muhamed Asani.

“E kemi hapur qendrën ditore për ata që dyshohen të jenë të prekur, pasi në Ohër nuk funksionon, nuk i pranojnë pacientët e prej në dritare u japin udhëzimet për në Shkup. Jam i detyruar, e kam spitalin ditor që është jashtë spitalit po e përgatisim me të gjitha gjërat që të fillojë të funksionojë, sepse po vijnë pacientë të cilët nuk mund t’i lëmë në rrugë.”,- deklaroi drejtori i Spitalit të Strugës, Muhamed Asani.

Po ashtu nga komuna e Strugës janë marrë masa edhe më të rrepta. Dezinfektimi i rrugëve dhe vendeve tjera publike ka vazhduar.

Gjithashtu është kërkuar përpilim i listës të të gjithë personave që kanë pasur kontakt me personat e prekur nga virusi, me qëllim që të mos përhapet virusi, personat që kanë ardhur nga jashtë vendit të qëndrojnë në vetizolim si dhe qytetarët të respektojnë maksimalisht rekomandimet e qeverisë.

ILMIJE ZHAKU