Neglizhenca e mjekëve të Ohrit, i kushtoi me jetë pacientes nga Struga
Aleanca për Shqiptarët reagon ashpër dhe shpreh indinjatë të thellë për sjelljen joprofesionale...

Aleanca për Shqiptarët reagon ashpër dhe shpreh indinjatë të thellë për sjelljen joprofesionale të personelit mjekësor të repartit infektiv në Spitalin e qytetit në Ohër.
Bëhet fjalë për pacienten 66 vjeçare nga Struga, të cilën në natën kritike nuk e kanë hospitalizuar në këtë institucion edhe pse mjeku familjar ka dhënë udhëzim spitalor, sepse pacientja ka pasur shenja dhe simptome të sëmundjes COVID-19.
Infektologu i rekomandon mjekim shtëpiak derisa të bëhen gati rezultatet, gjendja shëndetësore i keqësohet dhe ndërron jetë në shtëpinë e saj pa u trajtuar fare.
Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Strugë pranon për vështirësitë gjatë hospitalizimit të pacientëve nga Struga në këtë institucion shëndetësor si dhe Ministria e Shëndetësisë pranon që ka pasur lëshime gjatë mjekimit të pacientes.
Pasi Reparti i Infektologjisë në Ohër mbulon qytetet Ohër, Strugë, Dibër dhe Kërçovë i rekomandojmë qeveritarëve që urgjentisht të intervenojnë në këtë repart duke angazhuar infektologë nga qytetet tjera dhe nga Klinika e Shkupit.
Të sigurohet laborator ku do të përpunohen strishot e marra nga pacientët e dyshimtë si dhe reparte tjera të adaptohen për trajtim të numrit më të madh eventual të pacientëve me COVID-19.
Ky rast edhe një herë dëshmoi se shëndetësia në Maqedoninë e Veriut është e sëmurë dhe se premtimet për shëndetësi evropiane ishin vetëm një film fantastik me protagonist amator.
Ne kërkojmë që Ministria e Shëndetësisë detajisht ta hetojë rastin në fjalë dhe kërkojmë përgjegjësi nga mjeku kujdestar dhe institucioni i lartpërmendur.
Bëjmë apel që mos të lejohet të përsëritet ky lëshim dhe gabim i mjekut, sepse do të ishte fatale për shëndetin e popullatës në Republikën e Maqedonisë së Veriut në kohë pandemie.
