18 raste të reja me Covid-19 në vend, Filipçe: Humbën jetën një 31 dhe 91 vjeçar
Covid-19 u ka marrë jetën edhe dy personave, duke e rritur në 6 numrin e të vdekurve...

Covid-19 u ka marrë jetën edhe dy personave, duke e rritur në 6 numrin e të vdekurve, bën të ditur ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Bëhet fjalë për një person të moshës 91 vjeçare, i cili 8 ditë është mjekuar në Klinikën Infektive në Shkup dhe një 31 vjeçar, tek i cili gjendja shëndetësore është përkeqësuar menjëherë.
Ministri Filipçe tha se 31 vjeçari e ka pasur manifestim më të rëndë të virusit, që ka çuar deri te shkatërrimi i mushkërive.
“Lidhur me pacientin më të ri, një faktor i rrezikut ka qenë edhe obeziteti i tij. Fotografia klinike që ai ka treguar dhe mënyra se si është përkeqësuar fotografia klinike është praktikisht forma më e rëndë e përkeqësimit që është përshkruar në literaturë. Me një përkeqësim të rëndë të gjendjes shëndetësore dhe që nga dita e shtunë ishte në aparat të frymëmarrjes. Ai kishte gjakderdhje të brendshme dhe në një farë mënyre shpërbërje të mushkërive të bardha.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filiçe.
Numri i të infektuarve në 24 orët e fundit është 18, derisa në total numri shkon në 259. Prej tyre 49 janë të hospitalizuar, ndërsa 7 janë në gjendje të rënd, por nuk janë në aparat për frymëmarrje.
“Ne në ditët e fundit shohim nivelizim të numrit. Por, tani për tani asgjë nuk do të kisha thënë, përveç se jemi të kujdesshëm dhe optimistë. Kjo do të thotë se vazhdojmë me mënyrën e njëjtë të qasjes ndaj pacientëve dhe me masat e njëjta të kufizimit të lëvizjes.”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filiçe.
Nga dita e nesërme testime për virusin Korona do të mund të bëhen edhe në poliklinikën në Çair, ndërsa deri në fund të javës edhe në Ambulancën “Mlin Ballkan”.
SANIJE DURAKU
