Gostivar, 25 të testuar, një i infektuar
Deri më sot, në qytetin e Gostivarit janë testuar 25 persona, ku vetëm një person është diagnostikuar pozitiv me virusin Korona...

Aktualisht, në komunën e Gostivarit dhe të Vrapçishtit ka gjithsej 240 persona që u është rekomanduar që të qëndrojnë në vetizolim konform rekomandimeve, prej tyre 118 janë nga Gostivari, 28 vetëm në fshatin Çegran dhe 94 nga komuna e Vrapçishtit.
Që kur është vendosur ora policore dhe ndalesa për të punuar lokalet, në territorin e Gostivarit ka pasur mbi 10 shkelje të këtyre rregullave.
Më në numër janë shkeljet e orës policore, gjithsej ka pasur tetë shkelje të tilla, ku në pjesë të ndryshme të qytetit janë hasur qytetarë duke lëvizur pas orës 21, disa në këmbë, disa me automjetet e tyre.
Njëri nga këta qytetarë ishte hasur nga policia duke lëvizur në orë policore në Tetovë.
Dy rastet e tjera kanë të bëjnë me mosrespektim të vetizolimit. Edhe pse kanë nënshkruar deklaratë, pasi janë kthyer nga vendet me rrezik nga pandemia, të njëjtit nuk e kanë respektuar karantinën 14 ditore. Njëri prej tyre as orën policore.
Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka dorëzuar propozim për shqiptimin e dënimit në të holla për të gjithë personat e lartpërmendur, shkeljet e të cilëve kanë ndodhur nga data 17 deri më 26 mars.
Të gjitha institucionet dhe kompanitë private që punojnë gjatë vikendeve u përshtaten kufizimeve të reja për lëvizje dhe përfundojnë procesin e punës më së voni deri në orën 15:00.
LULZIM HAZIRI
