Maqedoni

Fazlia: Zejtarët kërkojnë ndihmë nga shteti

29.03.2020 19:30

Edhe zejtarët e lëmive të ndryshme në vend dukshëm po i ndiejnë pasojat nga situata me virusin Korona...

Të shtyrë nga gjendja tejet e vështirë në të cilën gjenden zejtarët,  Oda e Zejtarëve të Maqedonisë ka kërkuar nga autoritetet në RMV që t’u dalin në ndihmë, sepse mbi 20 mijë firma që merren me zejtari dhe mbi 8 mijë zejtarë individualë gjenden në kolaps të vërtetë, pasi që për shkak të gjendjes aktuale me virusin Korona, tashmë dyqanet i kanë mbyllur, deklaroi për TVM2 Agron Fazlia - kryetar i Odës së Zejtarëve të RMV-së.

“Zejtaria për momentin është në kolaps. Nuk punon asnjë dyqan, të gjithë janë të mbyllur, zejtarët dhe zejet janë pothuajse në vdekje. Tani kërkojmë nga shteti stimul përmes subvencioneve dhe gjitha ato masa e kërkesa të cilat i kemi dërguar deri tek Ministria e Ekonomisë dhe Qeveria e RMV-së, bëj apel deri tek kryeministri, Oliver Spasovski, që t’i marrin parasysh kërkesat tona, sepse janë mbi 20.000 firma që merren me zejtari dhe mbi 8.000 zejtarë që ushtrojnë prodhimtarinë në shtetin tonë.”,- tha kryetari i odës së zejtarëve të RMV-së, Agron Fazlia.

Fazlia shpreson se shteti do t’i marrë parasysh kërkesat e tyre për t’u dalë në ndihmë, sepse bëhet fjalë për numër të madh zejtarësh, të cilët me punën e tyre mbajnë familje të tëra.

FATLUM AQIFI