Kumanovë, tre raste të reja me “Covid 19”
Edhe përkundër faktit se gati dy ditë në Kumanovë nuk ishte i regjistruar asnjë rast me Korona Virus....

Edhe përkundër faktit se gati dy ditë në Kumanovë nuk ishte i regjistruar asnjë rast me Korona Virus, megjithatë orëve të fundit nga testimet e bëra tre qytetarë në këtë qytet rezultuan me “Covid 19”.
Ndërkohë që Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim përpos kërkesës tashmë të ripërsëritur çdo ditë për vënien e Kumanovës në karantinë të tërësishme, në mbledhjen e së hënës u është apeluar Bankave dhe postave, që të vënë rend , si brenda po ashtu edhe jashtë objekteve të tyre, gjatë pagesës së pensioneve apo kryerjes së shërbimeve tjera.
Shtabi komunal gjithashtu ka kërkuar edhe hapjen e më tepër punkteve për testimin nga Virusi Korona në Kumanovë, me qëllim të testimit të sa më shumë qytetarëve.
Nga ana tjetër po vazhdojnë edhe aktivitetet për dezinfektimin e objekteve të isntitucioneve shtetërore, banesave kolektive shkollave e objekteve fetare. Ndërsa me tri ekipe për dezinfektim, Ndërmarrja publike “Pastrim dhe gjelbërim” ka kryer dezinfektim edhe në lokacione të ndryshme edhe atë në qendër të qytetit, lagje të shumta si dhe fshatra.
Dezinfektimi po kryhet me atomizer, pompa mekanike dhe ekuipazh të madh me pompë lëvizëse. Kryesisht u dezinfektuan rrugë, trotuare, si dhe kontejnerët e plehrave. (Fatlum Aqifi, TVM2)
