Maqedoni
Tetovë, Çulev vëzhgoi realizimin e orës policore
31.03.2020 14:09
Në rajonin e Tetovës deri më sot ka 6 të prekur nga virusi Korona....

Tre nga të prekurit janë nga komuna e Tetovës dhe nga një rast është regjistruar në komunat rurale të Zhelinës, Bogovinës dhe Jogunovcës. Ndërkohë, SPB-Tetovë ka bërë të ditur se natën e kaluar orën policore nuk e kanë respektuar pesë persona, dy nga Tetova dhe tre nga Gostivari. Ndaj këtyre personave është ngritur parashtresë adekuate sipas nenit 206 nga Kodi Penal të RMV-së. Implementimin e orës policore në Tetovë mbrëmë e ka vëzhguar ministri i punëve të brendshëm, Naqe Çulev, i cili njëherit apeloi që qytetarët ta mbështesin policinë në implementimin e kësaj mase.
“Tani, më shumë se kurrë, është e rëndësishme t’u besojmë zyrtarëve të policisë, t’i mbështesim ata dhe të bashkëpunojmë me ta, sepse ata janë njerëzit që kanë detyrë të vështirë dhe të përgjegjshme. Ata kanë për detyrë nga veprimet që ndërmarrin të japin kontribut personal dhe të qëndrojnë përpara detyrimit që u është besuar atyre, që është për të mbrojtur tërë kombin nga armiku i padukshëm që lufton shteti dhe tërë bota.”,- tha ministri i punëve të brendshme, Naqe Çulev.
Përndryshe në Tetovë dhe Gostivar deri më tani ka mbi 500 persona në vetizolim. Nga SPB - Tetovë, po ashtu kanë bërë të ditur se mbrëmë kanë mbyllur 14 lokale të cilat nuk kanë respektuar vendimin e qeverisë dhe për pronarët e tyre janë përgatitur parashtresë adekuate.
VISAR SADIKI
