Maqedoni
Gjykata Penale në Shkup, nga 3 vjet e gjysmë burg për Alimin dhe Gurin
31.03.2020 15:12
Ismet Guri dhe Ejup Halimi, të akuzuar në lëndën “Titanik 3”....

Ismet Guri dhe Ejup Halimi, të akuzuar në lëndën “Titanik 3”, janë shpallur fajtorë për asgjësimin e materialit zgjedhor në zgjedhjet lokale në komunën e Çairit në vitin 2013. Për këtë vepër, gjykatësja Maria Kletniçka i dënoi me nga tre vite e gjashtë muaj burg.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, gjykatësja Kletniçka tha se i akuzuari Guri është fajtor, sepse gjatë zgjedhjeve lokale në komunë të Çairit, në vitin 2013, së bashku me dëshmitarët, Blerim Muhaxheri dhe Qani Toçi, i kanë rishkruar procesverbalet nga votimi. Ndërsa i akuzuari Alimi është shpallur fajtorë, sepse ka ndërmarrë veprime kundërligjore për shkatërrim të materialit zgjedhor. Gjykata Penale pjesërisht ka pranuar propozimet e Prokurorisë për masa kujdesi ndaj Ismet Gurit dhe Ejup Alimit. Atyre do t’u merren pasaportat, gjegjësisht nuk do të mund ta lëshojnë vendin. Por, Gjykata Penale hodhi poshtë kërkesën e prokurores, Fatime Fetai, që Guri dhe Alimi të mos mund të braktisin qytetin ku jetojnë, përkatësisht qytetin e Shkupit.
Pas këtij vendimi gjyqësor kanë reaguar nga BDI, nga e cila theksojnë se drejtësia e llojit të “Boki 13”, “Svarovski” dhe “Lui Viton” duhet të marrë fund.
“Bashkimi Demokratik për Integrim angazhohet për sundim të mirëfilltë të ligjit dhe shteti i së drejtës është prioritet absolut i të gjithë ne. Ne fuqishëm vazhdojmë të përkrahim drejtësinë e mirëfilltë dhe për të arritur tek një drejtësi europiane, duhet të ç’rrënjosim drejtësinë selektive të motivuar politikisht dhe etnikisht me vendime të cilat bazohen në porosi e jo në ligj. Drejtësia joselektive arrihet nëpërmjet vetingut të prokurorëve, gjykatësve dhe politikanëve. Besueshmëria e rrënuar e institucioneve të drejtësisë në sytë e qytetarëve si pasojë e ndërhyrjeve të vazhdueshme politike, dështimit të Prokurorisë Speciale, zhvatjes dhe lakmisë, Boki 13, Svarovski dhe Lui Viton motiveve, duhet të marrë fund. Një vend anëtar i NATO-s dhe në proces negociues për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të kujdeset për integritetin e institucioneve, parashikueshmërinë ligjore dhe drejtësinë e pakorruptuar. BDI përkrah vetingun për të gjithë dhe nuk do të komentojë rastin e sotëm deri në përfundim të procedurave në instancat më të larta”,- thuhet në reagimin e BDI-së.
GYLTENE SINANI
