Maqedoni

Qeveria doli me pakon e dytë të masave ekonomike, shkurtohen pagat e funksionarëve

31.03.2020 16:00

Qeveria në seancën e sotme ka miratuar paketën e dytë të masave me të cilën do t’u dalë në ndihmë qytetarëve...

Qeveria në seancën e sotme ka miratuar paketën e dytë të masave me të cilën do t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve që janë të prekura nga pasojat e pandemisë Covid-19. Pjesë e masave është shkurtimi i pagave për të gjithë funksionarët e zgjedhur dhe të emëruar, ndërsa shkurtim të pagave nuk do të ketë për të punësuarit në sektorin publik.
 
“Të gjithë funksionarët e emëruar dhe zgjedhur do të marrin paga minimale prej 14.500 denarësh për muajin prill dhe maj, përfshirë edhe presidentin e shtetit, kryeministrin, ministrat, zëvendësministrat, drejtorët e institucioneve shtetërore,  kryetarët e komunave, funksionarë të tjerë në nivel lokal dhe qendror. Ky vendim nuk do t’i përfshijë personat e emëruar në shtëpitë e shëndetit publik. Kryetarët dhe anëtarët e komisioneve dhe anëtarët e bordeve, kryetarët dhe këshilltarët e komunave nuk do të marrin pagë deri sa të zgjasë gjendja e jashtëzakonshme.”,- deklaroi kryeministri, Oliver Spasovski.
 
Kompanive private që janë goditur nga kriza për muajt prill dhe maj do t’u ndihmohet me 14.500 denarë për punëtor, kurse si masë alternative është subvencionimi me 50% i kontributeve për punonjësit në ndërmarrjet private. Nga këto masa do të përfitojnë edhe sportistët dhe artistët, të cilëve u sigurohet pagë minimale prej 14.500 denarësh.  Parashohin edhe pagë mujore për qytetarët që kanë mbetur pa punë për shkak të krizës, të cilëve do t’u jepet 50% e neto pagës në afat prej 6 muajsh. Spasovski gjithashtu theksoi se të gjitha bankat do të shtyjnë pagesën e kësteve të kredive për të gjithë qytetarët për 3-6 muaj. 
 
ZEKIRJA MEXHITI