Maqedoni
Strugë, dy raste të reja me të prekur nga Covid-19
31.03.2020 16:15
Në Strugë janë regjistruar edhe dy raste të reja me të prekur nga virusi COVID-19...

Në Strugë janë regjistruar edhe dy raste të reja me të prekur nga virusi COVID-19, duke e çuar kështu në 7 numrin e përgjithshëm të të infektuarve, përfshirë edhe atë që ndërroi jetë ditë më parë. Vazhdon kontakti me të gjithë personat e kontaktit të të prekurve nga virusi. Edhe ata që kanë ardhur nga vendet me rrezikshmëri të lartë dhe të mesme, janë në izolim shtëpiak. Komuna në kuadër të masave për parandalim të përhapjes së Covid-19, ka dezinfektuar sot rrugët, shkollat fillore, si dhe objektet e banimit të personave të infektuar.
Megjithatë, edhe pse u paralajmërua, tregu i gjelbër sot nuk u mbyll, por vazhdoi punën si normalisht. Edhe qytetarët vazhdojnë të mos i marrin seriozisht rekomandimet për të mos dalë pa nevojë. Sërish rrugët e Strugës ishin të mbushura me turma njerëzish që nuk respektonin hapësirën sociale. Më problematike situata është në super-markete dhe tek tregu i gjelbër, ku blerësit nuk mbajnë largësinë e rekomanduar nga njëri-tjetri. Vazhdojnë apelet nga komuna e Strugës dhe spitali i qytetit, që qytetarët të shmangin daljet dhe grumbullimet sa më shumë të jetë e mundur.
ILMIJE ZHAKU
