Maqedoni

Kumanovë, shkon në 54 numri i të prekurve nga Kovid 19

01.04.2020 15:29

Ka shkuar në 54 numri i qytetarëve të prekur nga virusi COVID 19 në Kumanovë...

Ka shkuar në 54 numri i qytetarëve të prekur nga virusi COVID 19 në Kumanovë, në 24 orët e fundit janë regjistruar edhe 7 raste të reja. Tashmë siç dihet dy pacientë kanë ndërruar jetë. Shtabi komunal për mbrojtje dhe shpëtim sërisht këtë të mërkurë ka kërkuar nga Qeveria që të shpall Gjendje krize në Komunën e Kumanovës dhe të aplikojë regjim të posaçëm të kontrollit në të gjitha hyrje daljet, me qëllim të aplikimit të planit aksional të Qendrës për menaxhim me kriza dhe pengimin e zgjerimit të padëshirueshëm të epidemisë brenda dhe jashtë komunës.
 
Edhe përkundër motit me borë, ekipet e NP “Pastrim dhe Gjelbërim“, kanë vazhduar në dezinfektimin e pjesëve të shumta të qytetit dhe lagjeve periferike. janë vendosur edhe  punkte për dezinfektimin e veturave në disa hyrje të Kumanovës.
 
Megjithë masat e rrepta, ende ka qytetarë  që nuk po e respektojnë orarin e kufizimit të lëvizjes  dhe masën  për vetizolim shtëpiak. Ndaj dy qytetarëve, Prokuroria Themelore publike në Kumanovë, do të ngre padi penale, konform nenit 206 alinea 1 e Kodit Penal, ku parashihen gjoba prej 2 mijë eurove. 
 
Për shkak të thirrjeve të shumta në Shtëpinë e shëndetit, nga atje  u apelojnë qytetarëve që të paraqiten vetëm për raste të rënda emergjente, ndërkaq për rastet më të lehta të kontaktojnë mjekët amë.
 
FATLUM AQIFI