Virusi Korona, rritet numri në SHBA, Spanja kryesoi sot Europën

01.04.2020 21:52

SHBA sërisht shënoi numrin më të madh të infektimeve dhe vdekjeve nga Covid 19....

SHBA sërisht shënoi numrin më të madh të infektimeve dhe vdekjeve nga Covid 19. Në 24 orët e fundit u regjistruan  24 mijë raste të reja  dhe 912 vdekje.

Numri total i të infektuarve është  mbi 180 mijë, ai i të vdekurve mbi 4000.  Epiqendra është Nju Jorku me rreth 67 mijë raste infeksionesh dhe rreth një-të-tretën e vdekjeve.

Rusia ka dërguar në SHBA një aeroplan ushtarak me pajisje mjekësore, për t’i ndihmuar në luftën kundër koronës. Moska zyrtare raportoi edhe 440 të infektuar të tjerë në Rusi.

Edhe në Evropë gjendja me Covid 19 është larg përmirësimit.  Numri i të infektuarve në Spanjë ka kaluar 100,000, numri i të vdekurve në 24 orët e fundit, shënoi  rekord të ri, me 864 raste të reja, apo  në mbi 9 mijë në total.  Italia megjithatë vazhdon të mbajë vendin e parë në Europë me 12.428 vdekje gjithsej.

Edhe pse vërehet ulje e rasteve të reja, numri i vdekjeve në 24 orët e fundit ishte 837. Italia mbajti zi për viktimat me flamujt që u ulën në gjysmë shtizë në të gjitha zyrat publike. Edhe Vatikani iu bashkua nderimit të viktimave të Kovid 19.  Turqia ka regjistruar mbi 13mijë raste me virusin korona.

Megjithatë një avion me pajisje mjekësore ëhstë dërguar drejt Spanjës e Italisë në shenjë solidariteti.  

Një 13-vjeçar në Londër është bërë viktima më e re në Britani e cila regjistroi 563 të vdekur në një ditë. Në Britani aktualisht ka 25.150 të infektuar. 

Franca ka  raportuar për 45,170 të infektuar dhe 3,030 të vdekur. Në Gjermani numri i rasteve të infektuara është mbi 70 mijë me mbi 800 të vdekur. 

Edhe Ballkani nuk po shpëton lehtë megjithëse jo me shifra sa vendet e Europës fatmirësisht.  Në Kosovë rastet e konfirmuara me COVID-19 janë  rritur  në 115. Edhe dy zyrtare të Shërbimit Korrektues kanë rezultuar pozitive e janë izoluar.

Mali i Zi ka regjistruar 11 raste të reja, çka e çon numrin e përgjithshëmtë të infektuarve në 120. 

Serbia ka regjistruar 5 vdekje në 24 orët e fundit, me një bilanci të  përgjithshëm prej  28 të vdekurve dhe 1.060 të infektuarve, 160 vetëm në një ditë. Autoritetet e Arabisë Saudite  ndërkohë kanë bërë thirrje që  besimtarët që kanë planifikuar të shkojnë në haxh këtë vit t’i shtyjnë rezervimet për shkak të paqartësive të krijuara nga përhapja e virusit korona.      

Pavarësisht përmirësimeve në  Kinë dhe Korejnë e Jugut, OBSH alarmon  se pandemia e virusit korona në atë rajon është shumë larg përfundimit. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)