Futboll

“Elbasan Arena” që tani i ngjan një tempulli evropian, sonte zyrtarisht do të hap dyert në përballjen ndërmjet Shqipërisë dhe Danimarkës.

11.10.2014 18:55

Kuqezinjtë dhe danezët e “ftohte” do të përballen në kuadër të eliminatorëve të Evropianit ‘Francë 2016’...

Shqipëria ka disa ditë që nën drejtimin e Gianni De Biasit, ka nisur përgatitjet për duelin me danezët, e që vlerësohet një nga sfidat më të vështira të Shqipërisë.

Ekipi shqiptar pas fitores së madhe kundër Portugalisë në hapje të këtij cikli të garave, si asnjë herë më parë është e motivuar që të mposht edhe Danimarkën në mënyrë që të bëjë një hap të madh në garën për kualifikimin në Evropianin 2016.

Në kampin kuqezi mbretëron një atmosferë e bukur sportive dhe shpresëdhënëse për një fitore të madhe.

Mbrojtësi Taulant Xhaka, i cili për herë të dytë vesh fanellën kuqezi, mendon se Shqipëria mund të mposht ekipin daneze. Anëtari i Baselit përmes profilit të tij në Facebook, ka thënë se beson në fitoren e Shqipërisë.

“Unë besoj në fitore kundër Danimarkës”, ka shkruar Xhaka.

I bindur në fitore ndaj danezëve është edhe qendërmbrojtësi Mërgim Mavraj.

“Do të mundohemi t’i fitojmë tri pikë ndaj Danimarkës, por edhe ndaj Serbisë, për ta ruajtur pozitën e mirë në renditje”, ka theksuar Mavraj.