Maqedoni

VMRO-DPMNE i propozoi Qeverisë masa për sferën e arsimit

02.04.2020 16:03

Nuk mund të lejohet që e tërë gjenerata ta përsërisin vitin shkollor vetëm pse qeveria nuk gjen mënyrën...

Nuk mund të lejohet që e tërë gjenerata ta përsërisin vitin shkollor vetëm pse qeveria nuk gjen mënyrën dhe metodologjinë se si të përmbyllet viti shkollor, vlerësojnë nga VMRO-DPMNE, nga e cila kanë dalë me propozimet e tyre se si duhet vepruar në këtë rast.
 
Një pjesë e masave të propozuara tanimë aplikohen në shtete tjera, ndërsa një pjesë janë adaptuar për kushtet vendore, thonë nga kjo parti.
 
“Propozojmë vendim me të cilin matura shtetërore në të gjitha shkollat e mesme për këtë vit shkollor të anulohet. Matura shtetërore mund të organizohet vetëm për nxënësit që kanë nevojë, por ajo të organizohet në shtator. E dyta, viti shkollor të përfundojë më 10 korrik. Nxënësit të vlerësohen me notë mesatare bazuar në suksesin e nxënësve në gjysmëvjetorin e kaluar, e kushtëzuar me kryerjen e detyrave të shtëpisë në periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme.”,- tha Hristina Serafimovska nga VMRO-DPMNE.
 
Po ashtu nga VMRO propozojnë heqjen e notës mesatare për regjistrim në shkollat e mesme profesionale, realizimin e kontrolluar të detyrave të shtëpisë, të cilat duhet të jenë efektive dhe esenciale, pa ngarkesa të panevojshme të nxënësve.
 
Të rriten emisionet televizive me përmbajtje arsimore në të gjitha gjuhët, në bazë të klasave dhe lëndëve. Po ashtu në kuadër të këtyre masave propozohet aplikimi i semestrit veror për nxënësit me nevoja të veçanta.
 
Të organizohen trajnime për ndjekjen e mësimit online për të gjithë arsimtarët të cilët kanë nevojë, nxënësve që vijnë nga familjet e kategorive me vështirësi sociale t’u sigurohen pajisje për ndjekjen e mësimit online, ndërsa institucionet e arsimit të lartë të mendojnë që procesin e regjistrimit të studentëve ta organizojnë në rrugë elektronike.
 
Nga VMRO-DPMNE kërkojnë që qeveria sa më parë të miratojë këto masa.
 
GYLTENE SINANI